Dr. Paulin Marku
Mehmet Konica lindi në Konicë, kaza e Vilajetit të Janinës në vitin 1881. Ai njihet për veprimtarinë politike e diplomatike dhe konsiderohet një njohës i mirë i diplomacisë ndërkombëtare për shkak të formimit universitar dhe të përvojës së angazhimit nëpër vende të ndryshme. Po ashtu, mbajti edhe postin e kryediplomatit, ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Më 25 dhjetor 1918 u mbajt mbledhja e parë e “Kongresit të Durrësit” dhe kishte bashkorganizator Mehmet Konicën, Myfit Bej Libohovën e të tjerë. Suksesi ishte se arritën të organizojnë një takim aq të rëndësishëm për kohën, në një moment të vështirë për vendin dhe morën pjesë përfaqësues nga treva të ndryshme të Shqipërisë.
Mbledhja e dytë u mbajt më 26 dhjetor 1918, kryesuar nga Mehmet Konica, i cili hapi edhe takimin e radhës.
Mbledhja e tretë u mbajt më 27 dhjetor 1918, nën kryesimin e Mehmet Konicës. Mehmet Konica emërohet Delegat i Punëve të Jashtme në qeverinë e drejtuar nga Turhan Pasha (25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920). Në mbyllje të “Kongresit të Durresit” që zgjati për tre ditë me radhë, u caktuan edhe delegatet që do të ishin pjese e delegacionit për të marrë pjesë në “Konferencën e Parisit”. Kongresi vendosi që delegacioni do të kryesohej nga kryeministri i porsazgjedhur, Turhan Pasha, me delegat sa vijon: Mehmet Konica, Imzot Luigj Bumçi, dr. Mihal Turtulli dhe Mit’hat Frashëri. Pjesëmarrësit që votuan për përfaqësuesit shqiptar për të marrë pjesë në Paris u treguan të kujdesshëm në përzgjedhjen e delegatëve. Ata synonin që përfaqësimi të ishte sa më dinjitoz duke u treguar shumë të kujdesshëm edhe në përzgjedhjen e tyre, në mënyrë që të kishte përfaqësues nga krahina të ndryshme të vendit dhe me prejardhje fetare gjithëpërfshirëse.
Kongresi i Lushnjës u hap më 21 janar 1920 ku morën pjesë 50 përfaqësues nga krahina të shumta të vendit, të cilët disa prej tyre mbërritën me vonesë dhe për këtë arsye punimet e kongresit u zhvilluan më 28 janar deri më 31 janar 1920. Kuvendi i Lushnjës zgjodhi kabinetin e përkohshëm nën kryesimin e Sulejman Bej Delvinës; Ministri i Punëve të Jashtme, Mehmet Bej Konica; Ministri i Punëve të Mbrendshme, Ahmet bej Mati (Zogu); Ministër i Financave, Ndoc Çoba; Ministër i Drejtësisë, Hoxha Kadri; Ministër i Arsimit Sotir Peci. Në përfundim të Kongresit të Lushnjës, u shpall qeveria e re, kryesuar nga kryeministri Sulejman Delvina që pati jetëgjatësi për më pak se një vit, 30 janar 1920-14 nëntor 1920, ku i besohet posti i rëndësishëm në qeverisje, ministër i Punëve të Jashtme, Mehmet Konica.
Në kongres morën pjesë figura të rëndësishme të politikës shqiptare që luajtën një rol të rëndësishëm në themelimin e shtetit shqiptar por edhe në ngritjen dhe drejtimin e institucioneve kombëtare përgjatë viteve 1920-1924. Kjo është periudhe shumë e rëndësishme për politikën në vend sepse qeveritë, kryeministrat, ministrat përkatës nuk arrinin të mbyllnin një mandat të plotë. Gjatë atyre viteve mund të konsiderohet si qeverisje demokratike, pasi ato ndryshonin shpesh, kur kryeministrat dhe kabineti i tyre mund të kishin jetëgjatësi disa ditore, javore apo mujore por asnjë nuk mbylli një mandat katër vjeçar. Është hera e parë dhe e fundit kur dy prej njerëzve të rëndësishëm të politikes shqiptare të periudhës që flasim 1920-1924, i gjejmë në një kabinet qeverisës dhe behet fjale për Ahmet Zogun të dhe opozitarin e tij të mëvonshëm, Fan Noli. Me 14 dhjetor 1921-2 dhjetor 1922 u formua qeveria me kryeministër, Xhaferr Ypi dhe kishte pjese të kabinetit, ministër i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu; ministër i Punëve të Jashtme, Fan Noli; ministër i Drejtësisë, Hysen Vrioni; ministër i Luftës, Ismail Haki Tatzani; ministër i Arsimit, Rexhep Mitrovica; ministër i Financave, Kolë Thaçi.
Mehmet Konicës iu besuan poste të larta drejtuese, pasi njihej si njeri i formuar dhe kishte mbaruar studimet e larta universitare në “Shkollën e Lartë Administrative”. Ai kishte eksperience diplomatike të gjatë sepse kishte filluar të shërbente në radhët e diplomacisë prej vitit 1903. Gjatë shërbimit diplomatik nëpër vende të ndryshme, ai kishte fituar maturi e përvojë në diplomaci.
Mehmet Konica mbante marrëdhënie të mira me diasporën shqiptare. Ai bashkëpunonte me shqiptaret e Amerikës dhe kishte marrëdhënie të mira me Federata Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Ai ishte i besuari i vatranëve dhe kishte bashkëpunuar me “Vatrën” në shërbim të çështjes kombëtare. Mehmet Konica ishte i përzgjedhuri nga “Vatra” për të lobuar me ndërkombëtaret për çështjen shqiptare gjatë viteve 1916-1917. Me shpenzimet e saj, “Vatra” dërgoi dy njerëzit e besueshëm për të njohur qarqet diplomatike e shtypin e kohës në arenën ndërkombëtare për çështjen shqiptare. Mehmet Konica dërgohet në Londër dhe dr. Mihal Turtulli në Lozanë.
Mehmet Konica, po ashtu ishte një prej delegateve shqiptar për të dhënë kontributin e tij në Konferencën e Paqes në Paris, që u hap zyrtarisht me 18 janar 1919, ku rol kryesor kishin shtet si: SHBA, Franca, Britania e Madhe, Italia, etj… .
Mehmet Konica synonte që në Konferencën e Paqes të fitojnë integritetin territorial dhe Pavarësinë e gjithë Shqipërisë. Shqiptarë shpresonin që do të kishin mbështetjen e ndërkombëtareve, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët e Amerikës kishin bërë përpjekje të vazhdueshme për ndërgjegjësimin të opinionit publik, mediatike dhe kishin lobuar me zyrtarë të lartë të Shtetit për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare.
Mehmet Konica ishte në dijeni të bisedimeve midis shqiptarëve dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas burimeve arkivore rezulton se Mehmet Konica mbante marrëdhënie të mira me diasporën shqiptare dhe gjenden disa letërkëmbime me Federatën “Vatra”. Dokumentet evidentojnë se marrëdhëniet e tij me përfaqësues të Vatres ishin të vazhdueshme dhe ai kishte komunikuar rreth situatës në vend dhe kishin shkëmbyer mendime për çështjen kombëtare shqiptare. Po ashtu gjenden telegrame lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA.
Gjatë periudhës që Mehmet Konica mbante postin e ministrit të Punëve të Jashtme kishte komunikim të vazhdueshëm me Federatën “Vatra”. Ai ishte informuar edhe lëvizjet e shqiptarëve për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike me institucionet amerikane, edhe pse vendi ynë nuk kishte ende ambasadë në SHBA. Në një komunikim të datës 27 mars 1920, vatrani Kostandin Çekrezit, i komunikonte ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Mehmet Konica se ishin angazhuar për të takuar përfaqësues të Departamentit të Shtetit. Qëllimi i tyre ishte për të njohur institucionet amerikane me gjendjen e shqiptarëve dhe situatën nw vendlindje, si dhe, për të kërkuar mbështetjen e Amerikës ndaj kauzës kombëtare. Një tjetër arsye e diasporës shqiptare ishte që të hapte rrugën e komunikimit në nivel diplomatik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çekrezi njoftonte ministrin e Jashtëm, Konica ku pohonte se kishte zhvilluar takime me përfaqësues të lartë amerikan. Në njoftimin e tij, pohonte se kishte arritur të takonte Sekretarin e Shtetit, z. Bainbridge Colby, dhe shtonte se janë hedhur hapa të rëndësishëm. Çekrezi përshkruante takimin me nota mjaft pozitive dhe shprehej se do të ketë edhe takime të tjera në të ardhmen. Në telegramin dërguar ministrit Konica pohonte sa më poshtë vijon: “Kështu, pra, pasi u mbaruan salutimet e urimet, dhe pasi z. Colby më bëri disa pyetje për punën time, i thashë Shkëlqesës së Tij që dëshiroja tepër që të më jepte një rasë për t’i dorëzuar kredencialet e mia. Shkëlqesia e Tij m’u përgjigj se do të jetë fort i gëzuar që të presë kredencialet, dhe që do ta quante sikur i kish marrë q’atë minutë – sikur të mos i kish me vete. Mbi këtë, nxora dhe i dorëzova kredencialet, dhe pasi u fjalosëm disa kohë, i dorëzova edhe aide-memoiren e bashkëfjalimit përmbi çështjen e njohjes s’independencës së shtetit shqiptar. Sekretari i Shtetit i mori që të dyja, duke m’u zotuar që t’i studonjë që sot. Është për të vënë re se, në krye, z. Colby m’adresoj me fjalët “Mr. Chekrezi”, por pasi i dorëzova kredencialet m’adresoj gjithnjë me fjalët “Mr. Commisioner” dhe, në funt kur do të iknja, përdori dy herë adresimin “Mr. Ministër”, po, siç duket, gabimisht, se nuk më besohet të ketë përdorur me qëllim”. Dokumenti C. A. Chekrezi AQSH, F. 151, V. 1920, D. 31, fl. 43-47, Vatra dhe shqiptaret në Amerikë, dokumente historike I, 1912-1944.
Takimi ishte pritur mirë edhe nga z. Colby, i cili i kishte shfaqur mundësinë Çekrezit për t’u takuar përsëri dhe i premtonte se do të krijonte lehtësira të nevojshme. Në vazhdim të raportit dërguar ministrit Mehmet Konica, Çekrezi i kërkonte udhëzime për takimin që pritej të mbante. Ai shprehej se do të takohej përsëri me Sekretarin e Shtetit dhe mirëpriste sugjerime e udhëzime nga Konica. Nuk kaloi shumë kohë dhe kabllogrami me udhëzime nga Mehmet Konica arrijnë në dorën e Kostandin Çekrezit por nuk jepen shumë detaje rreth udhëzimeve që ai mori.
Ashtu siç ishte njoftuar, Sekretari i Shtetit, Colby, e priti në një takim të dytë Çekrezin. Gjatë bisedës që patën, Çekrezi e njohu me gjendjen e shqiptarëve dhe të Shqipëri, dhe i kërkonte ndihmë e bashkëpunim për të ardhmen e çështjes kombëtare shqiptare. Citoj “:z. Colby i përgjigjet me këto fjalë: “Pas këtyre që po më thoni juve, duket që është nevoja që të merren disa masa”. Atëherë unë i thashë që masa më e mirë do t’ish që qeveria amerikane të njihte qeverinë tonë, dhe e pyeta në se Departamenti i Shtetit mund të pranojë një ministër të Shqipërisë dhe ta njohë si ministër. Sekretari i Shtetit m’u përgjigj që do t’a konsiderojë thellësisht atë çështje dhe do të më përgjigjet së shpejti.” AQSH, F. 151, V. 1920, D. 31, fl. 54. Vatra dhe shqiptaret në Amerike, dokumente historike I, 1912-1944.
Ne mbyllje të takimit ne shenje respekti Çekrezi i dhuron një kopje të librit të tij, “Albanian Past and Present”. Z. Colby, e falënderoi për librin dhe i premtoi se do t’a lexonte me interes të madh librin e dhuruar me autograf prej autorit. Takimi i tyre mbyllet me respekt dhe vlerësime të larta reciproke. Çekrezi pohonte: “Më 23 të këtij muaji u prita për bashkëfjalim për të tretën herë prej Sekretarit të Shtetit, me rastin e Konferencës së San Remos, dhe i çfaqa pikëpamjen t’onë për zgjidhjen e çështjes shqiptare.” Cekrezi shprehej se e çmonte pritje dashamirëse të z. Colby dhe shtonte se i kishte siguruar se do t’i paraqiste presidentit Wilson letrën me kërkesat që kishte marr nga ai. Ndërsa lidhur me njohjen institucionale diplomatike, ai shprehej: “Kur e pyeta se përse nuk m’u përgjigj me të shkrojtur në çështjen e njohjes së qeverisë s’onë, z. Colby më tha që duhet të presim edhe pak kohë për njohjen. “we have to wait for a little while yet”.AQSH, F. 151. V. 1920, D. 31, fl. 62-65. Vatra dhe shqiptarët në Amerike, dokumente historike I, 1912-1944.
Në vitin 1922 Mehmet Konica emërohet në një post të rëndësishëm edhe falë eksperiencës në diplomaci si dhe për shkak të orientimit tij anglo-amerikan. Këshilli i Naltë njoftonte më 20 shkurt 1922 palën britanike se ishte emëruar ministër Fuqiplote në Britaninë e Madhe, Mehmet Konica. Kështu më, 28 mars 1922 paraqiti letrat kredenciale, ministër Fuqiplotë në Angli. Ai shërbeu si Ministër Fuqiplotë në Britaninë e Madhe për tri vite deri në vitin 1925. Mehmet Konica ka karriere të gjatë në fushën e diplomacisë, i cili ka shërbyer në poste dhe vende të ndryshme.
Në karrierën e tij njihet si njeri i përgatitur dhe me eksperiencë në fushën politike e diplomatike. Postin më të lartë e mbajti si kryediplomat, ministër i Punëve të Jashtme, ministër Fuqiplotë në Britaninë e Madhe, si dhe shërbeu në misione të ndryshme diplomatike. Po ashtu mbajti lidhje me diasporën shqiptare dhe përfaqësoi edhe Federatën “Vatra” në arenën ndërkombëtare, ku u angazhua për çështjen shqiptare nëpërmjet delegacioneve të ndryshme shqiptare. Mehmet Konica ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare, në Rome, Itali.
Foto: wikipedia.org
previous post