Ndodh që për një kontroll të presim me orë të tëra, nga 6-7 orë rrimë nëpër shkallë e në të ftohtë. S’di, këtu është kaos, por nuk kemi çfarë të bëjmë, jemi të detyruar të presim derisa të marrim shërbimin shëndetësor”, thotë Vesna Todorovska, një banore nga qyteti i Shtipit, që kishte ardhur për kontroll mjekësor në Klinikën e Shkupit.
Ajo është një nga pacientët e shumë, të cilët ankohen për pritje të gjata për kontrolle mjekësore dhe për këtë nuk i fajësojnë mjekët, por sistemin shëndetësor në vend për dështim në organizimin e punës, dështimin e sistemit “Termini im”, por edhe për mungesën e mjekëve.
“Ka radhë të gjata, ndodh që këtu të presin edhe nga 300 pacientë. Për punën e mjekëve nuk mund të ankohemi. Faji nuk është i mjekëve, ata po e bëjnë punën e tyre me ato kapacitete që kanë. Faji është atje lart”, thotë Amdija Sulovski, pacient nga Shkupi.
Ndërkohë, mbetet e pazgjidhur çështja e punëtorëve shëndetësorë me kontrata të përkohshme.
Aktualisht, rreth 2000 persona punojnë në institucionet shëndetësore me kontrata të përkohshme dhe pa sigurime shëndetësore, ndërsa të ardhurat e tyre nuk e kalojnë pagën minimale prej 21.000 denarësh apo 350 eurosh.
“U bëjmë thirrje organeve kompetente dhe qeverisë së ardhshme që ta zgjidhin statusin tonë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa të drejtë për ekzistencë, kërkojmë kushte për jetë normale. Ne duam që këtu të jetojmë dhe të krijojmë familje, jo të ikim nga shteti”, thotë Tomas Todorov, punonjës shëndetësor.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka pranuar se gjendja me mungesën e kuadrit, është alarmante, por, sipas tij, në periudhën zgjedhore punësimet janë të ndaluara.
“Mund të them se është miratuar buxheti dhe ka përfunduar procedura për punësimin e më shumë se 1000 punëtorëve, por meqenëse jemi duke hyrë në një proces zgjedhor, ligji nuk lejon punësime. Kështu që, pas zgjedhjeve do të vazhdojë procedura për punësimin e tyre. Çdo drejtor i çdo institucioni shëndetësor duhet të ketë një plan se sa punëtorë i nevojiten dhe ne do të veprojmë”, ka thënë Demiri.