Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski sot do të mbajë koordinim të rregullt të të hënës me krerët e grupeve parlamentare në të cilin pritet të dakordohet se kur do të mbahet seancë plenare për zgjedhjen e anëtarit të shtatë të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve.
Abdush Demiri, i cili është propozim i partive nga Blloku evropian për ndryshim, është propozim për anëtar të KSHZ-së. Demiri javën e kaluar në seancën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime u mbështet për anëtar të Komisionit me 10 vota “pro”, një “abstenim” dhe një “kundër”.
Kandidati i dytë, i cili u tërhoq, ishte Zulfi Adili sepse Qeveria me propozimin e Zijadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët e emëroi drejtor të Agjencisë për investime të huaja.
Për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së kërkohet shumicë prej dy të tretash. KSHZ ka disa muaj që është pa një anëtar që kur Krenar Lloga u bë ministër i Drejtësisë.
Pas shpalljes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 14 shkurt, KSHZ-ja filloi aktivitetet zgjedhore me miratimin e librave të afateve.
Nga 14 shkurti filloi afati për regjistrimin e shtetasve tanë për të votuar përmes aplikacionit https://dijaspora.sec.mk/, si dhe në përfaqësitë dhe konsullatat tona diplomatiko-konsullore jashtë vendit. Regjistrimi bëhet duke plotësuar dy kërkesa si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare. Për të votuar në diasporë duhet të mblidhen gjithsej 5300 kërkesa.
Më 23 shkurt fillon mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për president dhe për parashtruesit e listave zgjedhore, ndërsa më 28 shkurt fillon inspektimi i Listës Zgjedhore.
Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 24 prill, ndërsa raundi i dytë do të mbahet më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.