BOTA

Avokatja italiane bënte ‘magji të zezë’ për të vrarë klienten e moshuar, që të trashëgonte pasurinë (fotot)

Një avokate është dënuar në Itali pasi ka përdorur magji vudu duke tentuar të vriste klienten e saj në mënyrë që të trashëgonte pasurinë e shtëpinë e saj.

Dënimi i pazakontë është konfirmuar edhe pse deri tani nuk ka prova shkencore se “magjia mund të bëjë dikë të vdesë”, shkruan Metro.

58 vjecarja Barbara Raimondo, ishte emëruar avokate për klienten e paemëruar 86-vjeçare që ishte gjithashtu mike e familjes, u tha në gjykatën e Genoa, në veriperëndim të Italisë.

Rrjedhimisht pensionistja e kishte bërë avokaten trashëgimtare të vetme, dhe ajo kishte përfituar nga fakti për të përdorur pasurinë e saj prej rreth 1 milionë euro.

Raimondo më tej kishte pajtuar një ‘shtrigë vudu’ për të kryer rituale magjie të zezë për të shpejtuar vdekjen e të moshuarës.

Kjo tentativë vrasjeje me “vudu” i kushtoi asaj dënimin dhe zbulimin nga autoritetet, që panë se Raimondo kishte zbrazuar llogaritë e klientes së saj.

Raimondo u dënua sipas nenit 49 të kodit penal vendas ku përfshihen ato që quhen “krime të pamundura”.

Ajo u burgos për pesë vjet për përvetësim pasurie, mashtrim dhe ‘magji vudu’.

Gjykatësja Paola Faggioni urdhëroi që Raimondo t’i hiqet licenca e avokates dhe të paguajë 1 milionë euro kompensim.

Avokati i Raimondo, Alessandro Vaccari, tha se do të apelonte dënimin për magji “vudu”.

“Shpresojmë që kjo akuzë të bjerë, klientja ime beson të shtrigat por ne besojmë te apeli, që do të rrëzojë akuzën”, tha ai.

Paolo Dogliatti, avokati i viktimës 86-vjeçare të mashtrimit, tha: “Ajo është e tronditur sepse kishte dhënë të gjithë besimin e saj te avokatja duke e bërë trashëgimtare, kurse ajo përpiqej të përfitonte nga vdekja e saj. Është shumë e rëndë për klienten time që ka humbur besimin te njerëzimi”.