AKTUALE

Eksporti shenon renie per 20% e mbulon importi me vetem 12.9%

Deficiti tregtar është rritur për 3.1% në gusht të këtij viti krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Ndërkohë që eksporti ka rënë për 20.7 për qind.

Sipas të dhënave që i ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) eksporti i mallrave në muajin gusht 2023 kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 523,1 milionë euro. Sipas ASK-së kjo paraqet një rënie prej 20,7% për eksport, si dhe 0.7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 3,1% në muajin gusht 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 455,8 milionë euro, krahasuar me deficitin 441,9 milionë euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 12,9%”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 19,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre e 5,4% e përbëjnë produktet bimore.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16,9% e përbëjnë produktet minerale; 12,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,4% e përbëjnë mjetet e transportit; 6,0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike e 5,9% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij.

ASK-ja ka publikuar edhe të dhënat e eksporteve dhe importeve të Kosovës me vendet e BE-së.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 20,6 milionë euro, ose rreth 30,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-33,4%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,3%), Italia (3,3%), Holanda (3,2%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 217,0 milionë euro, ose 41,5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1,8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11,8%), Greqia (6,0%), Italia (4,4%), etj”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Gjithashtu është paraqitur edhe vlera e eksporteve dhe importeve të Kosovës me vendet e CEFTA-s.

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 26,7 milionë euro, ose 39,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-17,1%). Partnerë kryesorë për eksport ishin: Shqipëria (14,3%), Maqedonia e Veriut (13,4%), Mali i Zi (5,4%), Serbia (5,2%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 73,2 milion Euro, ose 14,0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-26,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,5%), Maqedonia e Veriut (4,5%), Serbia (2,1%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

ASK-ja ka paraqitur edhe të dhënat e eksporteve dhe importeve të Kosovës me vendet e tjera të botës.

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19,9 milionë euro, ose 29,6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (15,9%) dhe Zvicra (8,5%). Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 232,8 milionë euro, ose 44,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,0%) dhe Kina (12,7%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Related posts

Mexhiti: Siljanovskën nuk mund ta mbështesim me deklarata si ajo e djeshme nga Kumanova

Gjyla Halili

Experts wants us to stop using the Terminator to talk about AI

admin

Ganiu konfirmon se VLEN do të marrë ministrinë e 5-të me resor: Ministria e Eurointegrimeve do t’i ketë të gjitha nishanet

Gjyla Halili

Leave a Comment