AKTUALE

Kosova hedh poshtë të pavërtetat e Vuçiqit në fjalimin në OKB

Vuçiqi ndërlidhi çështjen e Ukrainës me Kosovën. Sipas tij, “ajo që i ndodhi Serbisë më 2008, po i ndodh Ukrainës sot”. Ka akuzuar Perëndimin se me njohjen e Kosovës “po i mohojnë parimet që sot i mbrojnë” duke e ndërlidhur me pushtimin rus të Ukrainës dhe përkrahjen e Perëndimit për Ukrainën.

“Si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënoj ashpër dhe i hedh poshtë në tërësi si të pavërteta dhe tentim për shtrembërim të historisë deklarimet lidhur me Republikën e Kosovës, të bëra nga Presidenti i Serbisë në paraqitjen e tij të sotme para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ai, mes të tjerash, zanafillën e agresionit rus në Ukrainë e sheh tek pavarësimi i Kosovës, dhe paturpshëm pretendon se më 2008 Serbisë i ka ndodhur kjo që i ndodhë Ukrainës sot”, ka shkruar në reagim në Facebook, Gërvalla të enjten në mbrëmje.

Ajo ka përsëritur faktet se Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008 si përmbushje e vullnetit të popullit dhe se deklarata e shpalljes së pavarësisë nuk përbën shkelje dhe se këtë e ka vendosur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, Presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Kjo edhe është arsyeja pse Republika e Kosovës sot përkrah pa asnjë hezitim Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresorit kriminal rus. Kjo njëkohësisht duket qartë se është arsyeja pse Serbia vazhdon të mbështesë Rusinë e Putinit, siç e konfirmoi hapur dhe pa dilemë vet Presidenti i Serbisë në të njëjtin fjalim në OKB”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka vazhduar se Vuçiqi me këtë fjalim ka shkelur edhe zotimet që i ka dhënë para Bashkimit Evropian “kur e ka pranuar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, të datës 27 shkurt 2027, dhe Aneksin Zbatues të datës 18 mars 2023, neni 2 i së cilës përcakton qartë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërtohen bazuar në parimet e Kartës së OKB-së, posaçërisht atyre që ndërlidhen me barazinë sovrane të shteteve, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial”.

Gërvalla ka thënë se në bazë të asaj marrëveshjeje, Vuçiqi para OKB-së është dashur të bënte thirrje për anëtarësimin e Kosovës e jo të lansonte të pavërteta.

Ajo ka akuzuar Vuçiqin dhe Serbinë edhe për shtrembërim të fakteve për akuzat se Kosova po bllokon dialogun.

“Bllokues i dialogut është Serbia dhe Presidenti i saj, i cili ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes, ndërmjetësve ndërkombëtarë u ka thënë se e pranon, ndërsa publikut në Serbi i thotë se nuk e pranon Marrëveshjen e plotë. Ndoshta deklarimet e tilla të njeriut që ka qenë bashkëpunëtor i afërt i krimineleve të luftës Slobodan Milosheviq e Vojislav Sheshel mbase mund edhe të befasojnë dikë në Perëndim që vazhdon të besojë se Presidenti aktual i Serbisë është një partner i mundshëm demokratik i BE-së dhe NATO-s. Por, kjo nuk është befasi për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, të cilët e njohin shumë mirë ish-ministrin e propagandës të Milosheviçit, sot sundimtarin e Serbisë dhe aleatin e Putinit në Ballkan. E njohin edhe politiken që ai përfaqëson, e cila fatkeqësisht vazhdon të mbajë peng te gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e para se gjithash edhe vet popullin serb”, ka shkruar ajo më tej.

Në fund të reagimit, Gërvalla i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht BE-së e SHBA-së, që të dënojnë gjuhën e Vuçiqit dhe t’ia rikujtojnë obligimet që ka marrë me pajtimin e shprehur në Bruksel dhe Ohër.

Gjatë fjalimit Vuçiqi akuzoi presidentin e SHBA-së, Joe Biden, për shkelje të parimeve.

“Këtu, në këtë sallë, vetëm dy ditë më parë, e dëgjuam presidentin e Shteteve të Bashkuara [Joe Biden], duke folur për parimin më të rëndësishëm në marrëdhënie mes vendeve, për respektin e integritetit të tyre territorial dhe sovranitetin… i vetmi telash në këtë ishte se vetëm pak orë pas fjalimit të tij, ai e takoi presidenten e të ashtuquajturës Kosovë, e cila cilësohet nga vendet më të fuqishme të Perëndimit si presidente e një vendi të pavarur, e dalë nga territori i Republikës së Serbisë”, u shpreh ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se presidenti i Biden ka dhënë garanci të fuqishme për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën.

Gjatë fjalimit, Vuçiqi e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rritje të dhunës me motive etnike kundër serbëve

Related posts

Ndahen subvencionet për klima inventer në Kërçovë, Dehari: Veprime si këto janë shembuj të qartë të udhëheqjes së përgjegjshme dhe përkujdesjes për qytetarët.

Gjyla Halili

8-vjetori i tentativës për grusht-shtet, Kollashinac dhe Ahmeti vizituan Ambasadën e Turqisë

Gjyla Halili

Bytyqi: Akti i praktikave të padrejta të tregtisë do të sjellë produkte më të lira në tryezë

Gjyla Halili

Leave a Comment