BOTA

Azerbaixhani nis operacion ushtarak ndaj pozicioneve armene, 2 civilë raportohen të vrarë (fotot)

Ushtria e Azerbaixhanit ka hapur zjarr sot ndaj pozicioneve armene në rajonin e Nagorno-Karabak në atë që quante një “operacion anti-terrorist,” teksa zyrtarët etnikë armenë raportonin për dy civilë të vrarë dhe 10 të plagosur nga zjarri i artilerisë pranë qendrës armene të rajonit.

Ministria e mbrojtjes së Azerbaixhanit njoftoi nisjen e operacionit disa orë pasi katër ushtarë dhe dy civilë raportohet se u vranë në një incident me shpërthime minash anti-njeri në Nagorno-Karabak.

Zhvillimet e rënda kanë ngritur frikë për rinisjen e luftës mes Azerbaixhanit e Armenisë, fqinjët që kanë luftuar disa herë 3 dekadat e fundit për rajonin e kontestuar, për të cilin nuk duket se ka vullnet për një zgjidhje paqësore.

Ministria nuk dha shumë detaje për sulmin por tha se pozicionet e forcave armene po goditen me “armë të preçizionit të lartë”, dhe se ato përfshijnë vetëm objektiva ushtarake.

Ndërsa zyrtarët armenë të Nagorno-Karabakh thanë se kryeqyteti rajonit Stepanakert dhe të tjera fshatra janë goditur nga artileria.

Avokati i popullit në Nagorno-Karabakh, Geghan Stepanyan tha se dy njerëz ishin vrarë dhe 11 të tjerë ishin plagosur prej nisjes së sulmit, mes të cilëve dhe fëmijë.

Azerbaixhani tha se operacioni kufizohej vetëm në objektiva ushtarake dhe se “korridore humaitare” janë krijuar për “largimin e popullatës nga zona e rrezikut”.

Thomas de Waal, analist i agjencisë Carnegie Europe tha se operacioni mund të jetë një plan i presidentit të Azerbaixhanit, Ilham Aliyev për të larguar armenët etnikë nga zona.

“Është ende shumë herët për të thënë por veprimi ushtarak mund të detyrojë mijëra armenë të largohen drejt Armenisë. Më pas Aliyev mund të arrijë qëllimin e tij duke marrë Karabakun me më pak gjakderdhje”, tha de Waal për rrjetin Associated Press.

Sot më herët Azerbaixhani tha se gjashtë njerëz ishin vrarën në incidente të ndryshme me shpërthime në rajonin që kontrollohet pjesërisht nga forcat etnike armene.

Baku tha se dy punonjës autostradash ishin vrarë kur automjeti i tyre hasi në një minë tokësore dhe kur ushtarët shkuan në vendngjarje një tjetër minë vrau katër persona.

Territoret rrethuese të Nagorno-Karabak kanë qenë nën kontrollin armen që prej vitit 1994 por Azerbaixhani rimori një pjesë të mirë të tyre pas luftës gjashtë-javore në 2020. Kjo e fundit përfundoi me armëpushimin dhe vendosjen e trupave paqeruajtëse ruse në rajon.

Por akuzat e ndërsjellta për provokime nuk kanë ndaluar dhe Azerbaixhani bllokoi rrugë-kalimin e furnizimit të Nagorno-Karabakh nga Armenia, duke shtuar tensionet.

Rusia mohonte sot pretendimet se ishte njoftuar paraprakisht për sulmin azer, duke thënë se forcat e saj paqeruajtëse ishin njoftuar vetëm disa minuta para nisjes.

Analisti de Waal tha se forcat ruse kanë humbur shumë oficerë në luftën me Ukrainën dhe kjo ka ndikuar në vullnetin e tyre për të ndërhyrë në Nagorno-Karabak.