BOTA

Udhëheqësit e G-20 nënshkruajnë marrëveshje për korridor tregtie nga India në Evropë

Një korridor që do të lidhë Indinë dhe Lindjen e Mesme me Evropën po konsiderohet si variant modern i një rruge të lashtë tragëtare që lidhte Lindjen dhe Perëndimin dhe një mënyrë alternative për nismën kineze “Një brez Një rrugë”.

Gazetarja e Zërit të Amerikës Anita Powell sjell hollësi se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po pmbështesin këtë rrugë të re hekurudhore dhe detare.

Korridori ekonomik Indi – Lindje e Mesme – Evropë, rezultat i takimit të shteteve më të zhvilluara të botës, të njohura si G-20, në Indi, do të përbëhet nga një rrjet linjash hekurudhore dhe detare nga India në Lindje të Mesme, pastaj nëpër tokë drejt Mesdheut, nëpër Greqi për në Evropë.

Presidenti Joe Biden e përshëndeti këtë marrëveshje të arritur gjatë takimit në New Delhi.

“Korridori krijon vende pune, rrit tregtinë, forcon zinxhirët furnizues dhe përmirëson lidhjet me njëri tjetrin. Vendos themelet që do të forcojnë tregtinë dhe sigurojnë ushqimin për njerëz në shumë shtete,” tha Presidenti Biden.

Udhëheqësja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pajtohet.

“Korridori është më shumë se një hekurudhë apo kabllo. Është një urë ambientale dhe digjitale përgjatë kontinenteve dhe civilizimeve,” thotë ajo.

Por, a do të jetë korridori i mjaftueshëm për të shërbyer si alternativë ndaj nismës gjithpërfshirëse të Kinës Një Brez një Rrugë, që është e pranishme në 150 shtete?

“Nuk e konsideroj si konkurrencë të drejtpërdrejt globale të nismës Një Brez Një Rrugë. Kjo mund të jetë një mënyrë për t’u dhënë infrastrukturë disa shteteve. Por, në realitet, shumë nga ato shtete tashmë pranojnë mjaft ndihmë për investime. Sigurisht Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli nuk kanë nevojë për kapitale të huaja. Është përparim. Por mund të jetë edhe mundësi politike për të përafruar më shumë Izraelin dhe Arabinë Saudite, duke u bërë një plan shumë joshës afatgjatë,” thotë zoti Zack Cooper nga Instituti Amerikan “Enterprise”

Dhe ndonëse Kina prin – si në kohë, ashtu dhe në fonde – analistja Aparna Pande thotë se ky projekt modest megjithatë ka peshë. Dhe, siç thotë ajo, ndonëse nuk është përpiluar si nisma Një Brez Një Rrugë që ka një qendër me disa pika, nga korridori përfitojnë më shumë shtete, ndonëse në përmasa më modeste.

“A duhej të ishte bërë kjo një dekadë më herët? Patjetër. A duhet ta ndërmarrim këtë nismë tani, meqë jemi vonuar për një dekadë? Nuk ma merr mendja,” thotë zonja Pande nga Instituti “Hudson”.

Por, projekti – që u jep shteteve një afat kohor prej 60 ditësh të zhvillojnë dhe pajtohen për një plan veprimi – tashmë ka hasur në një pengesë.

Në takim, Presidenti i Turqisë dukej sikur e mirëpriti idenë. Por, rrugës për në Ankara, u tha gazetarëeve se ideja për të shmangur Turqinë “nuk ka për të funksionuar.”

“Sigurisht që Turqia dëshiron të jetë pjesë e marrëveshjes. Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë janë mjaft të acaruara aktualisht dhe Turqia nuk ka marrëdhënie të mira as me Arabinë Saudite dhe Izraelin, e as me Greqinë. Përfshirja e Turqisë në marrëveshje është e mundur, por sigurisht janë një mori shtetesh që duan të shohin Turqinë të ndryshojë qasje, nëse ajo do të bëhet pjesë e saj,” thotë analisti Cooper.

Zoti Biden e quan “marrëveshje me peshë”, por sa shpejt mund të bëhet marrëveshja realitet, mbetet për t’u parë.


Top Channel

Related posts

Trazira në Paris pas vrasjes së një adoleshenti nga policia

admin

GJNP shpreh shqetësim për urdhërarrestimin e lëshuar nga Rusia për një gjyqtare

admin

Figura të larta palestineze i dënojnë deklaratat anti-semitike të Abbasit

admin

Leave a Comment