Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se zyra që ajo drejton do të fillojë një rishikim tërësor të politikave për t’u siguruar se blloku 27 anëtarësh do të vazhdojë të funksionojë si duhet, ndërkohë që fton shtete të reja në radhët e tij në vitet e ardhshme.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerim të mëtejshëm, duke e çuar numrin e shteteve në bllokuar në mbi 30 anëtarë.
Duke folur të mërkurën në Parlamentin Evropian, në Strasburg të Francës, ajop tha se blloku gjendet para një momenti historik.
“Dhe historia tani po na thërret ta plotësojmë bashkimin tonë. Në një botë ku disa po përpiqen të qërojnë hesape me shtete një nga një, ne nuk mund t’i braktisim evropianët tanë prapa. Në një botë ku madhësia dhe pesha kanë rëndësi, është qartazi në interesin strategjik të Evropës ta plotësojmë bashkimin tonë,” deklaroi zonja Von der Leyen.
Ukraina, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në mesin e kandidatëve për anëtarësim.
“Duhet t’i shikojmë me kujdes gjithë politikat dhe të shohim se si mund të ndikohen ato nga zgjerimi. Kjo është arsyeja pse Komisioni Evropian do të fillojë të punojë për një mori rishikimesh të politikave para zgjerimit, për të parë se si institucionet tona do të punojnë, se si Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian do të punojnë. Duhet ta diskutojmë të ardhmen e buxhetit tonë. Dhe na duhet të kuptojmë se si duhet të sigurojmë përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë në një botë ku çështjet e parandalimit janë më të rëndësishme se kurrë,” tha ajo.
Bashkimi Evropian aktualisht dhe pa zgjerimin e radhës, e ka të vështirë të marrë disa vendime, sidomos ato që kërkojnë miratim të njëzëshëm.
Megjithatë, trysnia mbi Evropën po shtohet për të hapur dyert e saj përballë ndikimit keqdashës rus në Ballkanin Perëndimor.
Shumë shtete duan që anëtarësimi të realizohet deri në vitin 2030, por Von der Leyen theksoi se anëtarësimi duhet të bëhet në bazë të meritave.
“Anëtarësimi është në bazë meritash dhe Komisioni gjithmonë do ta mbrojë këtë parim. Duhet shumë punë dhe udhëheqje e mirë. Por, tashmë është bërë shumë përparim. Kemi parë përpjekjet e mëdha, që ka bërë Ukraina që kur i kemi dhënë statusin e kandidatit, dhe kemi parë vendosmërinë e shteteve tjera kandidate për t’u reformuar. Andaj, anëtarë të nderuar, tani është koha që ne t’i përgjigjemi kësaj vendosmërie”, tha presidentja e Komisionit Evropian./ voa
Top Channel