AKTUALE

UP-ja përgënjeshtron Komunën e Prishtinës

Në një përgjigje paraprake për KOHËN, nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, ka theksuar se vendimi është marrë në bashkëpunim me UP-në.

“Ky vendim është marrë për qëllim të realizimit të planit rigjenerues të kësaj hapësire publike, dhe në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës. Kryeqyteti si institucion ka prioritet interesin publik, dhe për këtë nuk mund të mbivendosë interesin e një grupi mbi ato të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Zogaj.

E kjo u përgënjeshtrua nga rektori Qerim Qerimi gjatë mbledhjes së Këshilli Drejtues të UP-së, të mbajtur të enjten.

Në mbledhjen e cila u mbajt një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit, Qerimi tregoi se gjatë ditës kanë pasur takimin e parë me zyrtarët komunalë, të cilëve u ka kërkuar pezullim të vendimit deri në arritjen e një marrëveshjeje me shfrytëzuesit e rrugës.

“Sot jemi takuar me këshilltarin e kryetarit, pasi kryetari ishte jashtë vendit. Ne i vizituam parkingjet brenda kampusit, por është pak e vështirë të kemi një situatë të qartë pa e analizuar mirë situatën. Meqë sot është dita e parë për ne dhe për administratën, besoj që na duhet kohë që të analizojmë hapësirën që e kemi dhe zgjidhjen e situatës”, ka thënë Qerimi, i cili theksoi se nga zyrtarët komunalë u është premtuar se gjatë ditës së enjte do të marrin një përgjigje për kërkesat e shtruara.

“Pati mirëkuptim për pjesën që është parkim i Fakultetit të Filologjisë. Pati gjithashtu gatishmëri që një numër i arsyeshëm i vendeve t’i ofrohet stafit të Universitetit pa pagesë në parkingun qendror”, ka theksuar Qerimi.

Edhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, ka deklaruar se për vendimin, organet e UP-së janë njoftuar nga raportimet e mediave.

“Nuk kemi pasur njoftim zyrtar. Jemi njoftuar nga mediat kur kanë raportuar”, ka thënë Sahiti.

Në mbledhje, anëtarët e Këshillit u dakorduan që të formojnë një grup punues me akterët e përfshirë që të arrijnë një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë shfrytëzuesit e rrugës brenda kampusit.

Anëtari i Këshillit Drejtues, Naser Kabashi, ka thënë se grupi punues duhet të takohet urgjentisht me zyrtarët komunalë.

“Kampusi i Universitetit të Prishtinës është kampus publik i hapur, kështu e ka terminologjinë edhe prej sheshit, edhe daljen në anën tjetër. Ky është ai koncepti bazik që ta trajtojmë si Këshill Drejtues, që të dalim si grup punues që urgjentisht ta kërkojë një takim jo ndoshta me kryetarin, por me stafin e kryetarit që të elaborojë vendimin e marrë, po e quaj shumë saktë njëanshëm”, ka thënë Kabashi.

Në mbledhje, pranuan se ndër vite është keqmenaxhuar parkingu i kampusit, duke lejuar hyrjen dhe daljen e automjeteve pa verifikim.

“Ajo çka ka çuar deri tash është një fakt i pamohueshëm edhe nga ne që edhe po e pranojmë, por gati e tërë vera në kohën kur i tërë stafi administrativ ka qenë në pushim, pastaj vikendeve, hapësira jonë është shndërruar në një parking të jashtëligjshëm”, ka thënë Qerimi.

Edhe përfaqësues të studentëve kanë kritikuar Komunën e Prishtinës për marrjen e vendimeve të njëanshme e pa konsultim me ta.

“Kohë më parë u mor vendimi nga Komuna e Prishtinës për të mbyllur rrugët që çojnë në hapësirat e Kampusit Universitar. Ndonëse në fillim arsyetimi ishte krejt tjetër, arsyeja kryesore e këtij vendimi po del të jetë vazhdimi i betonizimit dhe privatizimi i hapësirave publike”, është thënë në një reagim të Parlamenti Studentor.

Në të është shprehur pakënaqësia edhe për hapjen e lokaleve të gastronomisë në oborrin e Universitetit.

“Janë hapur lokale gastronomie në vend të bibliotekave apo librarive. Kjo nuk i ka mjaftuar dhe tani po shohim vendosjen e gjeneratorëve e vazhdimin e betonizimit në hapësirat që thuhej se do të shërbejnë për lëvizjen e lirë të studentëve”, është thënë në reagim.

Vendimi i Komunës ia mbyll edhe qasjen e vetme për qarkullim që e ka stafi i dy mediumeve kombëtare, ai i Grupit KOHA dhe Radio Kosovës.

Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka dërguar në Komunë ankesë kundër vendimit, duke kërkuar shfuqizimin e tij në mënyrë që të mos cenohet puna e ekipeve të transmetuesit publik.

“Me këtë vendim cenohet puna e gazetarëve, medies dhe interesi i publikut në të katër anët e Kosovës dhe jo vetëm, për të qenë i informuar, mision ky i shenjtë gjë e prevalon çdo interes tjetër parcial e të segmentuar”, është thënë në ankesën dërguar Komunës. “Fakt tjetër është se RTK, si institucion publik ka të punësuar persona me nevoja të veçanta dhe me vështirësi në lëvizje, të cilët dalin për të punuar në terren me vetura zyrtare. Andaj qarkullimi është nevojë jetike, e domosdoshme, për t’ua mundësuar atyre dhe punonjësve të tjerë ta kryejnë punën me lehtësi e pa barriera, ashtu siç keni promovuar fushatën tuaj ‘Për një Prishtinë pa barriera’”.

E drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka dërguar ankesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe ka ngritur padi ndaj Komunës.

Ajo ka akuzuar pushtetin lokal në kryeqytet se po e sulmon rëndë fjalën e lirë, duke e injoruar ligjin.

Ditë më parë Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se është i paligjshëm vendimi i kryetarit Rama për mbylljen e disa rrugëve në qendër të kryeqytetit, përfshirë rrugën e vetme për t’iu qasur me automjete dy mediave kombëtare.

Related posts

Mot me diell, temperaturat deri në 33 gradë Celsius

admin

Gjashtë ilaçet që ndikojnë negativisht në ciklin tuaj menstrual

admin

Të gjithë kandidatët për president në Maqedoninë e Veriut pritet të debatojnë në dy “master debate”

Gjyla Halili

Leave a Comment