Turqia njoftoi se presidenti Recep Tayyip Erdogan “shumë shpejt” do të vizitojë Rusinë, ku do të zhvillojë bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për ringjalljen e marrëveshjes për eksportin e drithërave ukrainase, marrëveshje që mund të përdoret si trampolinë për negociata më të gjera të paqes me Ukrainën.
Zëdhënësi i partisë së Erdoganit, Omer Celin, u tha gazetarëve se ky takim do të mbahet në Soçi, qytet rus në Detin e Zi, dhe do të fokusohet në krizën aktuale ushqimore.
“Siç e dini, [Erdogan] do të vizitojë shumë shpejt Soçin”, tha Celik për gazetarët.
Agjencia e lajmeve Bloomberg më herët ka raportuar se Erdogan mund të takohet me Putinin më 8 shtator.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se përgatitjet për takimin janë “intensive”, por nuk tregoi detaje për kohën dhe vendin ku do të takohen dy liderët.
Erdogan ka përdorur marrëdhëniet e tij të mira me Moskën dhe Kievin dhe ka tentuar që t’i bindë të dyja palët të zhvillojnë bisedime formale të paqes.
Lideri turk ishte takuar për herë të fundit me Putinin në Astana të Kazakistanit tetorin e vitit të kaluar.
Po ashtu, dy liderët kanë mbajtur një telekonferencë në prill për të inauguruar një central bërthamor të ndërtuar nga Rusia.
Turqia ndihmoi në negocimin e marrëveshjes së parë mes Ukrainës dhe Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022. Marrëveshja mundësonte eksportin e drithërave nga tri porte ukrainase në Detin e Zi.
Rusia dhe Ukraina janë eksportuese të mëdha të produkteve bujqësore dhe kjo marrëveshje mundësoi uljen e çmimeve botërore të ushqimit.
Megjithatë, Moska u largua nga marrëveshja muajin e kaluar duke thënë se nuk ishin plotësuar kërkesat e saj që synojnë të lehtësojnë eksportin e produkteve bujqësore dhe plehrave artificiale të Rusisë.
Që atëherë, Rusia vazhdimisht ka sulmuar infrastrukturën në portet e Ukrainës dhe ka paralajmëruar se mund t’i vlerësojë si caqe ushtarake edhe anijet që kalojnë në Detin e Zi.
Megjithatë, Turqia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen. Javën e kaluar, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, qëndroi në Kiev për të tentuar që të bindë Ukrainën që t’i bashkohet bisedimeve.
Gjatë vizitës, Fidan po ashtu i bëri thirrje Ukrainës që të mos krijojë rrugë të reja të eksportit – që raportohet se mbështeten nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për anijet e saj, nëse Rusia nuk përfshihet në marrëveshje deri në vjeshtë.
Fidan pritet që në ditët në vijim të qëndrojë në Moskë.
Që kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja, Ukraina përdor rrugët tokësore dhe transportin përmes lumenjve për të eksportuar prodhimet e saj.
Top Channel