BOTA

Gjykata në Moskë zgjat paraburgimin e gazetarit të burgosur amerikan

Një gjykatë në Moskë ka zgjatur të enjten për tre muaj të tjerë paraburgimin e gazetarit të burgosur amerikan, Evan Gershkovich.

Ai do të vazhdojë të qëndrojë I ndaluar nën akuzat për spiunazh deri në fund të muajit nëntor, sipas njoftimit të agjencisë ruse shtetërore të lajmeve, Tass.

Gazetari i gazetës së përditshme “The Wall Street Journal” u arresta në fund të muajit mars ndërsa po raportonte nga qyteti rus Jekaterinburg.

Moska zyrtare e akuzon atë për spiunazh, akuza këto që ai, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane i mohojnë plotësisht. Departamenti amerikan i Shtetit thotë se arrestimi i zotit Gershkovich është i jashtëligjshëm.

Zoti Gershkovich është gazetari i parë amerikan, që është arrestuar nga Rusia nën akuza për spiunazh që nga Lufta e Ftohtë.

31 vjeçari Gershkovich, arriti në gjykatën e Moskës të enjten në një automjet të bardhë të burgut dhe u nxorr nga makina me duar të lidhura. Ai doli para gjykatës për të dëgjuar kërkesën e prokurorisë, që i zgjati sërish paraburgimin, vendim që hyn në fuqi nga 30 gushti.

Kjo është hera e dytë që zotit Gershkovich i zgjatet paraburgimi për tre muaj.

Gazetarët nuk u lejuan të jenë të pranishëm për të përcjellë zhvillimet në gjykatë. Sipas agjencisë ruse Tass, seanca u mbajt pas dyerve të mbyllura për shkak të natyrës së klasifikuar të disa detajeve të çështjes.

Në një deklaratë të enjten, gazeta “The Wall Street Journal” tha: “Sot, kolegu ynë dhe gazetari i spikatur Evan Gershkovich doli para gjykatës për një seancë dëgjimore në paraburgim, ku mbajtja e tij e padrejtë u zgjat sërish. Jemi thellësisht të zhgënjyer që ai vazhdon të mbahet në burg në mënyrë arbitrare dhe të jashtëligjshme për shkak të punës së tij si gazetar. Akuzat e pabaza kundër tij janë kategorikisht të trilluara. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm. Gazetaria nuk është krim.”


Top Channel

Banner

Related posts

Foto të shkatërrimit të lënë nga uragani Idalia në lindje të Florida, SHBA

admin

Europa po përvëlohet, britanikët ndryshojnë destinacionet e pushimeve

admin

Emigrantët e gomoneve ‘të vendosen në hotele me të paktën 3-yje’, urdhëron ministria e brendshme britanike, teksa ironizohet nga mediat (fotot)

admin

Leave a Comment