BOTA

SHBA forcon aleancën me Japoninë ndërsa rriten tensionet me Kinën

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin ushtarak ndërsa dënuan sjelljen e rrezikshme dhe agresive të Pekinit në Detin e Kinës Jugore gjatë një takimi trepalësh javën e kaluar.

Kina ka shtuar në mënyrë dramatike aktivitetet ushtarake përreth Tajvanit, mbi të cilin Pekini ka pretendime, duke shtuar drojën për ndërhyrje ushtarake në ishull. Siç njofton gazetari i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Tokio, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara po rrisin koordinimin dhe aftësitë ushtarake ndërsa thellohen tensionet në rajon.

Gjatë ditëve të fundit, avionët dhe luftanijet kineze rrethuan sërish Tajvanin. Por sa i gatshëm është Pekini për të filluar një luftë me Tajvanin?

“Ata i kanë hartuar planet. I kemi parë gjatë një viti apo më shumë tek i testojnë planet. I kanë të gjitha mjetet, që nga raketat e deri tek hapësira kibernetike. Kanë nxjerrë në skenë anijet dhe avionët dhe prova e fundit që do të shohim këtë vjeshtë është manovra e zbarkimit”, thotë për Zërin e Amerikës Grant Newsham me Qendrën për Politikat e Sigurisë.

Të tjerët thonë se Pekini është i vetëdijshëm për rreziqet.

“Një operacion amfib përgjatë brigjeve detare prej 160 kilometrash, kundër një ishulli të fortifikuar mjaft mirë dhe një terreni jo mikpritës, mbetet një përpjekje me rrezik të lartë”, thotë Christopher Johnstone me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në kryeqytetin amerikan.

Uashingtoni zbaton një politikë të kahershme lidhur me mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Tajvan. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në rajon po shtojnë bashkëpunimin ushtarak.

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar në Japoni 50 mijë trupa. Analisti Grant Newsham thotë për Zërin e Amerikës se aleanca ka nevojë për një koordinim më të mirë.

“Amerika dhe Japonia nuk kanë një seli të përbashkët pas 60 vitesh aleance në fushën e mbrojtjes. Është diçka që duhet të trajtohet me shpejtësi”.

Kongresi amerikan po debaton për reformimin e strukturës së komandës ushtarake në Japoni, për të patur një koordinimin më të mirë me forcat japoneze, përfshirë një seli të përbashkët.

Vitin e kaluar Japonia njoftoi se deri në vitin 2027 shpenzimet e mbrojtjes pothuajse do të dyfishohen.

“Japonia është vendi nga ku Shtetet e Bashkuara tregojnë fuqinë e tyre, si pikë nisje. Japonia gjithnjë e më shumë po bëhet një fuqi ushtarake më vete. Tokio ka avionë luftarakë F-35, një marinë jashtëzakonisht moderne dhe të aftë, si dhe aftësi të larta të mbrojtjes me raketa. Ndërsa zbaton strategjinë e re të mbrojtjes kombëtare, Japonia po investon për të rritur aftësitë me raketave goditëse me rreze të gjatë veprimi”, thotë Christopher Johnstone me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Banorët e Tokios që folën për Zërin e Amerikës shprehën mbështetje për rritjen e shpenzimeve ushtarake.

“Edhe pse Japonia ka ushtrinë e saj, ajo nuk mund ta mbrojë vendin nga një sulm nga jashtë. Nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. Kemi luftën në Ukrainë, kështu që askush nuk mund ta parashikojë përfundimin apo si do të ndryshojë bota”, thotë Shizuka Nishizawa, banore e Tokios.

“Jemi një shtet ishull. Kemi nevojë për raketa dhe avionë luftarakë. Duhet të bëjmë më shumë përpjekje për këtë”, thotë Ryuichi Kuriagawa, banor i Tokios.

Veprimet e Kinës i kanë afruar më shumë aleatët rajonalë, dhe e kanë shtyrë Japoninë që ta reformojë ushtrinë. Zakonisht, ndryshime të tilla politike në Japoni janë të ngadalta. Por qeveria ka në plan që brenda katër vitesh të transformojë aftësitë mbrojtëse të vendit./ VOA


Top Channel

Related posts

Mediat franceze: Prigozhin është në Moskë, u takua me Putinin në Kremlin!

admin

Gjykata shpall fajtor për shpërfillje të Kongresit ish-këshilltarin e Donald Trump-it

admin

Konflikti me Rusinë/ Danimarka do t’i dhurojë Ukrainës 45 tanke të tjera

admin

Leave a Comment