Ish-oficeri i inteligjencës britanike, Christopher Steele ka deklaruar se dikush ishte kontraktuar për ‘heqjen qafe’ të shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Për Sky News, Steele theksoi se në bazë të informacioneve të siguruara personi ishte ‘kokët e madhe’ nga oligarkët.
“Ne kishim dëgjuar disa javë më parë nga një burim se një kontratë ishte lidhur për ‘kokën’ e Prigozhin nga anëtarë të lartë të komunitetit të biznesit në Rusi”- u shpreh Steele, duke shtuar se gjithsesi do të ishte një “gabim” të supozohej se çdo përpjekje për vrasjen e Prigozhin mund të ishte autorizuar nga vetë Vladimir Putin.
“Sigurisht që gjasat janë se incidenti mund të jetë një sulm hakmarrës nga dikush në elitë, ndoshta dikush shumë i lartë“- tha ish-spiuni i MI6.
Mirëpo, ajo që ka kapur këdo në befasi është momenti i ndodhjes së ngjarjes. Vetëm disa ditë më parë Yevgeny Prigozhin u shfaq në një video të realizuar në Afrikë, kështu që të dëgjosh se ai mund të jetë viktimë e një aksidenti ajror në Rusi është e çuditshme, tha Steele.
Ish-oficeri i inteligjencës britanike thekson se kjo nuk është hera e parë që Prigozhin ka hyrë në Rusi pas internimit në Bjellorusi për shkak të dështimit të rebelimit të armatosur në qershor. Sipas Steele, ky lloj incidenti ishte “i pashmangshëm”.
“Është shumë intriguese kur e mendon se çfarë ka bërë Prigozhin që nga 24 qershori kur ndodhi kjo revoltë, dhe mendoj se ai e kishte kaluar kufirin. Unë mendoj, nxitoj të them se kjo ishte pothuajse e pashmangshme “- tha Christopher Steele për Sky News.
Nuk ka ende një konfirmim nëse Prigozhin humbi jetën në rrëzimin e avionit të sotëm, apo çfarë e shkaktoi aksidentin ajror. Megjithatë në mediet ndërkombëtare është raportuar për vdekjen e 10 personave në bord.
Top Channel