BOTA

Lideri i grushtit të shtetit në Niger: Synojmë qeveri transitore

Lideri i puçit në Niger, Abdourahmane Tchiani, ka thënë të dielën se dëshiron të krijojë qeveri transitore e cila do të mbetej në pushtet për “jo më shumë se tri vjet”.

Gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror më 20 gusht, Tchiani, po ashtu, i paralajmëroi shtetet e huaja kundër ndërhyrjes ushtarake në Niger.

Ai tha se dëshiron të ketë “dialog kombëtar gjithëpërfshirës” brenda 30 ditëve dhe të konsultohet me të gjithë qytetarët e Nigerit.

Tchiani u bë lider i Nigerit muajin e kaluar, pas një grusht shteti tronditës, gjatë të cilit garda presidenciale e arrestoi dhe e rrëzoi nga pushteti presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Bazoum.

Dialogu kombëtar do të ofronte bazën për krijimin e një kushtetute të re, tha Tchiani, duke nënvizuar se vendimet do të merren “pa ndërhyrje të jashtme”.

Komentet e tij vijnë pasi blloku rajonal i Afrikës Perëndimore, i njohur si ECOWAS, tha se shefat e mbrojtjes së tij janë duke e përgatitur një plan për ndërhyrje ushtarake në Niger, nëse nuk kthehet rendi dhe ligji.

Data e mundshme e ndërhyrjes është caktuar, por nuk është bërë publike, ka thënë ECOWAS.

Liderët e rinj të Nigerit u përgjigjën duke thënë se e kanë zhvilluar një strategji mbrojtëse me “masa konkrete” bashkë me dy shtetet fqinje, Malin dhe Burkina Fason, nëse ECOWAS-i vendos të “shkojë në luftë”.

Mali dhe Burkina Faso sundohen nga ushtria, po ashtu, pas puçeve.

Megjithatë, ECOWAS-i ka theksuar se zgjidhja paqësore duhet të mbetet prioritet dhe se ndërhyrja ushtarake do të ishte e nevojshme vetëm nëse ajo dështon.

Pas grusht shtetit në Niger më 26 korrik, ECOWAS-i bëri thirrje për kthimin e Bazoumit në pushtet, i cili po mbahet në arrest shtëpiak në pallatin presidencial.

Nigeri, një vend i Sahelit me rreth 26 milionë banorë, është njëri nga shtetet më të varfra në botë.

Deri para grusht shtetit, Nigeri ishte njëri prej partnerëve më demokratik i Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në rajonin e Sahelit./REL


Top Channel

Banner

Related posts

NGA OHRI NË STRASBURG

Gjyla Halili

Turqia goditet sërish nga një tërmet

admin

Treni del nga shinat dhe përmbyset, viktima dhe të plagosur në Tunizi

admin

Leave a Comment