Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka kërkuar nga Shqipëria që mos ta ekstradojnë Dritan Goxhajn në Gjykatën Speciale.
Përmes një postimi në Facebook ai ka treguar arsyet pse Shqipëria nuk duhet ta dorëzojë atë.
Sipas tij, Gjykata Speciale po i bazon provat mbi intervista e gazeta e jo ndonjë fakt konkret.
“Siç e kemi të njohur, Dritan Goxhaj ka dhënë intervista në gazeta e televizione të ndryshme dhe mund të ketë nxjerrë ndonjë emër që është dëshmitar aty, por bazuar në praktikën e asaj Gjykate, intervistat e tij do të ballafaqohen e përdoren kundër të akuzuarve në Hagë”.
”Dritani paska nxjerrë “sekretin” për ndonjë dëshmitar dhe me këtë po thuhet se qenka “penguar” drejtësia! Por, ne e dijmë se asaj Gjykate Superspeciale i dolën sheshit dosjet e tyre në mes të Prishtinës dhe për këtë megaskandal të saj u dënuan shokët tanë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”.
“Ne e dijmë poashtu se zyrtarisht dhe në njoftimet e webfaqes së tyre, ata i kanë publikuar viktimat dhe me këtë edhe dëshmitarët. Shtrohet pyetja, kush u hetua apo u dënua nga anëtarët e asaj pseudogjykate e cila nxori sekretin e dokumenteve që ishin në administrimin e tyre? Në praktikat gjyqësore penaliteti zbatohet ndaj personit përgjegjës që ruan apo disponon dokumentet e cilësuara “sekret” dhe jo mbi të tjerët, të cilët në rrugë e forma të ndryshme mësojnë për sekretin”, ka shkruar Klinaku në Facebook