BOTA

Gati 200 milionë njerëz në SHBA po përballen me nxehtësi ekstreme ose përmbytje

Gati 200 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose rreth 60 për qind e gjithsej popullsisë së SHBA-së, janë nën paralajmërim për të nxehtit ose për përmbytje, teksa temperaturat e larta po përhapen dhe stuhi të reja priten në zona të reja.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se një valë “e rrezikshme” e të nxehtit e kaploi verilindjen dhe qendrën e Atlantikut më 27 korrik dhe do të vazhdojë deri në fundjavë. Stuhi të forta dhe përmbytje të shpejta parashikohet se mund t’i godasin zonat në verilindje dhe jug.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ndryshimi i klimës, i nxitur nga djegia e lëndëve djegëse fosile, do të çojë në periudha të zgjatura dhe më të shpeshta të motit ekstrem.

Parashikimi për vapën e vazhdueshme vjen një ditë pasi Organizata Botërore Meteorologjike dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian Copernicus shpallën korrikun e vitit 2023 muajin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.

Të enjten, nxehtësia dhe lagështia në qytetet e mëdha përgjatë Bregut Lindor, përfshirë Uashingtonin, Filadelfian dhe Nju Jorkun, bënë që temperaturat të ishin ndjeshëm mbi 38 gradë Celsius.

Për shkak të nxehtësisë ekstreme, dy nga rrjetet më të mëdha të energjisë në vend janë nën stres, gjë që mund t’ua limitojë amerikanëve mundësinë për t’u freskuar.

Rrjeti më i madh energjetik i vendit, PJM Interconnection, shpalli alarmin e emergjencës energjetike të nivelit të parë për rrjetin e tij në 13 shtete më 26 korrik, që do të thotë se kompania është e shqetësuar për aftësinë e saj për të siguruar energji elektrike të mjaftueshme.

“PJM-ja aktualisht ka gjenerim të mjaftueshëm për ta përmbushur kërkesën e parashikuar, por operatorët vazhdojnë të monitorojnë kushtet e rrjetit për çdo ndryshim”, tha Jeffrey Shields, një zëdhënës i kompanisë.

PJM-ja nuk është i vetmi rrjet elektrik që ka lëshuar një alarm të tillë. Operatori i Pavarur i Sistemit Midcontinent, i cili mbulon kryesisht shtetet në Rrafshnaltën e Mesme dhe Veriore, lëshoi një alarm të ngjashëm më 27 korrik.

Operatori i Pavarur i Sistemit të Kalifornisë lëshoi gjithashtu një alarm emergjence energjie për mbrëmjen e 26 korrikut, pjesërisht për shkak të nxehtësisë së tepërt në Kaliforninë Jugore, por alarmi u shua në po të njëjtën ditë.

Një zëdhënës i Këshillit të Besueshmërisë Elektrike të Teksasit tha se ata presin që rrjeti i tyre të funksionojë si zakonisht, përkundër valës së fundit të motit ekstrem në të gjithë vendin. /REL


Top Channel

Related posts

Britania shënon ditën më të nxehtë të vitit deri më tani

admin

Të paktën 18 të vdekur, dhjetra të humbur nga përmbytjet, rrëshkitjet e dheut në perëndim të Indisë (fotot)

admin

Uashingtoni i jep miratimin Danimarkës dhe Holandës për t’i dhënë Ukrainës avionët luftarakë F-16

admin

Leave a Comment