Europa është kontinenti që po nxehet më shpejt në të gjithë globin, sipas ekspertëve.
Dita e sotme sjell një valë të re nxehtësie ndërkohë që zjarret kanë nisur të përfshijnë pjesë të saj duke shtyrë autoritetet të urdhërojnë evakuimin e 1.200 fëmijëve pranë një resorti bregdetar grek. Kulmi i përvëlimit pritet ne ishujt italianë të Sicilisë dhe Sardenjës, të cilët llogaritet të preken nga një temperaturë maksimale prej 48 gradësh celsius, sipas parashikimeve të Agjencisë Europiane e Hapësirës.
Rekordi i mëparshëm i temperaturës në Evropë u regjistrua në vitin 2021 në Sicili, që arriti në 48.8 gradë celsius, sipas agjencisë së motit të OKB-së. Në Spanjë, zhiva e termometrit shënoi 44.7 gradë celsius në qytetin jugor të Jaenit. Ndërsa në Qipro ku temperaturat nuk janë ulur më nga niveli i 40 gradëve, një 90-vjeçar vdiq nga i nxehti e tre të moshuar të tjerë u shtruan në spital.
Autoritetet shëndetësore, nga Amerika e Veriut, Evropa e Azia, kanë lëshuar paralajmërime, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë të hidratuar dhe të kërkojnë strehim nga dielli përvëlues. Kina raportoi një rekord të ri për mesin e korrikut në veriperëndim të vendit, ku temperaturat arritën në 52.2 gradë celsius në fshatin Sanbao të rajonit Xinjiang, duke thyer nivelin e mëparshëm prej 50.6 gradësh celsius, të vendosur gjashtë vjet më parë.
Temperaturat e larta po mundojnë edhe shtetet perëndimore dhe jugore të SHBA-së. Në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, një vend që shpesh njihet si një nga më të nxehtit në Tokë, temperaturat u rritën në nivele gati rekord prej 52 gradësh Celsius ndërsa zjarre të shumta shpërthyen në zonat rurale në lindje të Los Anxhelosit. Zjarri më i madh, i quajtur “Zjarri i Lepurit”, shkrumboi rreth 8.000 hektarë dhe u raportua se vetëm 35 për qind e tij është arritur të vihet nën kontroll. Në Kanadanë fqinje, autoritetet raportuan 882 vatra zjarri aktive të hënën, me 579 prej tyre të kategorizuara si jashtë kontrollit.
Top Channel