Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm në takimin joformal të thirrur sot nga kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama me krerët e vendeve të Rajonit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kryeziu shkruan se Kurti e ka njoftuar Ramën që nuk do të mund të marrë pjesë në takim, për shkak se ndodhet në një konferencë në Kretë të Greqisë.
Kryeziu thekson se megjithatë, Kurti do të jetë i pranishëm në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, shkruan Kryeziu.
Kryeministri Edi Rama do të presë sot (17 korrik) në Tiranë krerët e vendeve të rajonit dhe komisionerin për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhely, takim që zhvillohet në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Shqipëri më 16 tetor.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar komisioneri BE-se Oliver Varheli, kryeministri i Malit të Zi, i Maqedonisë se Veriut, ajo e Serbisë, ndërsa Kosova do të përfaqësohet nga zv. Kryeministri, Besnik Bislimi.