Ditë më parë u bë e ditur se Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për tejkalimin e situatës në veri.
Pajtimi për këtë është arritur gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Këto janë pikat me të cilat janë pajtuar Kosova dhe BE-ja :
Qeveria e Kosovës publikisht shpall përkushtimin e saj për të punuar në de-përshkallëzimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë masë për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Kjo përfshin një ulje të menjëhershme për 25% të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.
Policia e Kosovës kryen rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas nevojës, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.
Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike duke inkurajuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas verës në katër komunar në veri. Kosova angazhohet që të ketë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.
BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel për të finalizuar Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha dispozitave të marrëveshjes.
Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për Mitrovicën e Veriut.
“Pas pranimit të vendimit të qeverisë i njëjti është dërguar në teren për ekzekutim. Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka filluar të implementohet”, ka thënë Elshani.
Kjo vjen pas marrëveshjes së arritur në Bratisllavë ku në piken e parë të saj thuhet që Kosova do të fillojë tërheqjen e zyrtarëve policor në masën 25%.