BOTA

Zhduket fëmija 2-vjeçar nga shtëpia e gjyshërve në fshatin në jug të Francës (fotot)

Kërkime të gjera po zhvillohen në rajonin Alpes-de-Haute-Provence në juglindje të Francës ku një fëmijë 2-vjeçar duket se është rrëmbyer teksa luante në kopshtin e shtëpisë së gjyshërve.

Policia franceze dhe vullnetarë të shumtë po kërkojnë nga toka e nga ajri në rajonin mes Grenoble e Nice ku fëmija është zhdukur tragjikisht pasditen e të shtunës.

“Familja po bëhej gati të dilte dhe ndoshta ai përfitoi në këtë moment për t’u larguar. Djali mund të ecte dhe shumë besojnë se ai nuk është rrëmbyer”, tha kryebashkiaku vendas François Balique, për mediat.

Policia, xhandarmëria e zjarrfikësit së bashku me fshatarët e zonës kanë nisur kërkimet në një zonë rreth 500 hektarë por asnjë gjurmë e fëmijës nuk është gjetur.

Vendasit thanë se fëmija po kalonte verën me gjyshërit, në fshatin e njohur për ekskursionet e ecjeve pyjore.

Marie-Laure, menaxhere e barit të zonës Le Vernet, tha: “Ne po përgatiteshim për mbrëmjen kur u njoftuam se fëmija ishte zhdukur, dolëm të gjithë për të ndihmuar, kemi kërkuar kudo”.

Sot zona e kërkimeve ishte zgjeruar dhe autoritetet bënin thirrje për dëshmitarë që mund të kishin parë djalin me bluzë të verdhë e pantallona të bardhë, por për fat të keq asnjë gjurmë nuk është gjetur.