AKTUALE

Xhubleta dhe prezantimi i saj në institucionet kulturore

Për veshjet shqiptare në përgjithësi mund të themi se janë botuar një numër i konsideruar i punimeve nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, duke filluar nga Franz Nopcsa, Lepizig, Ami Boue, Hahn, Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Afërdita Onuzi, Drita Halimi-Statovci, Ukë Xhemaj, Agim Bido dhe studiues të tjerë.

Veshja jo vetëm që ka shërbyer për qëllime funksionale, por ka qenë pjesë e identitetit dhe traditave tona kulturore. Ajo prezanton imazhin dhe personalitetin e një kulture, nga veshja mund të pasqyrohen normat dhe vlerat kulturore të një kombi.

Deri vonë, në bazë të veshjes është bërë edhe identifikimi i krahinës etnografike, sepse secila zonë ka pasur karakteristikat e veta dhe nuk ka pasur përzierje të veshjeve. Secili banor i zonës është ndier krenar me veshjet e tyre. Padyshim se edhe veshja me xhubletë, sikurse e thamë më sipër, zënë një vend të veçantë në kulturën shqiptare. Xhubletën e bënë të dallueshme prerja e saj, forma e saj, qepja e saj artizanale, teknika e punimit, vlerat estetike dhe artistike që ajo i ka.

Mbijetesa në periudha të ndryshme kohore

Kjo veshje sipas studiuesve, ka arritur t’u mbijetojë periudhave të ndryshme kohore. Me gjithë elegancën e saj, ndoshta është veshja më e veçantë në Evropë. Gjithnjë duke iu referuar studiuesve, mendohet se xhubleta është një prej veshjeve më të vjetra të popullit shqiptar, e cila është bartur deri vonë në zona të caktuara, si për shembull në shumë fshatra të Veriut të Shqipërisë në të dy anët e kufirit. Në bazë të kujtesës së banorëve, në Krahinën e Rugovës kjo veshje është bartur deri në vitin 1952. Studiuesja Afërdita Onuzi shprehet se në ditët e sotme, xhubleta është e pamungueshme si në aktivitetet etnofolklorike po ashtu edhe në festa e gëzime familjare, në fshatrat e zonave ku është bartur kjo veshje.

Në të vërtetë, në zona të caktuara, siç është rasti me zonën e Tuzit, xhubleta ka vazhduar të punohet deri vonë.

Në vitin 2009, së bashku me dy kolegët e mi etnologë nga Muzeu Etnologjik i Prishtinës, z. Bekim Xhemili dhe znj. Dafina Morina, kishim vizituar familjen Berisha nga Tuzi, më konkretisht u takuam me mjeshtren e pakundshoq, zonjën Tole Berisha, e cila edhe pse në moshë të shtyrë, kishte vullnet, pasion dhe zanat për xhubletën. Gëzimi i zonjës Tole në atë kohë ishte që kjo traditë të ruhet, sepse është përcjellë me fanatizëm ndër breza, deri në ditët e sotme. Kurse, dëshira tjetër ishte që zanatin e saj për xhubletën t’ua mësonte të tjerëve, edhe pse interesimi është shumë i vogël, u shpreh në atë kohë znj. Tole Berisha.

Image
Tole Berishaj dhe mbesa e saj Amantia në Pallatin e Brigadave në Tiranë, më 20 dhjetor 2022, në mbrëmjen e xhubletës

Gara për xhubletën më të bukur

Ajo çfarë e bën më karakteristike xhubletën janë edhe pjesët përbërëse të saj si: Pështjellaku apo përparja, brezi i gjerë – kërdhokla, i punuar gjithashtu prej shajaku, i zbukuruar me fije gajtani, jeleku apo kraholi, këmisha, çorapët dhe opingat por edhe kundrat më vonë. Si pjesë e kësaj veshjeje ishin edhe stolitë e aksesorët nga argjendi dhe punimet me rruaza.

Mirëpo, në dekadat e fundit, ndryshimet kulturore të cilat po na shfaqen me të madhe, kanë ndikuar në largimin e traditave dhe praktikave të moçme për shumë arsyeje. Nga puna jonë në terren, mësuam nga banorët se në Malësi, dikur ka qenë zakon që vajzat e reja kanë bërë një garë në mes veti se kush e ka xhubletën më të bukur dhe kush e ka punuar xhubletën më të mirë. Zakonisht, xhubleta më e mirë ishte ajo xhubletë e cila qëndronte në pozitë vertikale pa rënë në tokë. Po ashtu më e bukura është zgjedhur xhubleta që ka pasur të punuar ornamentikë të ndryshme. Në lidhje me ornamentikën e xhubletës, studiuesi Agim Bido shkruan se ajo paraqet interes për shumëllojshmërinë dhe larminë e motiveve brenda simbolikës së caktuar, për kompozime të veçanta, për konceptim stilistik, koloristik e grafik, për materialet e qëndisjes, teknikën dhe realizimin mjeshtëror. Pra kjo tregon se zanati për këtë veshje ishte shumë i veçantë dhe kërkonte një logjikë shumë të mprehtë nga mjeshtret të cilat e kanë punuar këtë veshje. Duke u mbështetur nga terreni, na thanë se vajzat kur kanë shkuar te burri zakonisht në pajë kanë pasur të punuara nga 3-7 xhubleta, varësisht nga kushtet ekonomike.

Sfilata në “Qafë të Predelecit”

Në fshatin Lepushë të Kelmendit-Shqipëri, në vendin e quajtur “Qafa e Predelecit”, në fillim të muajit gusht, mbahet aktivitet kulturor, dhe në kuadër të këtij programi bëhet një sfilatë mode nga vajzat e kësaj ane, ku të gjitha janë të veshura me xhubletë, konkurrojnë për t’u zgjedhur më e bukura e bjeshkëve të Kelmendit dhe për ta fituar kurorën “Miss Bjeshka”. Për këtë traditë banorët tregojnë se mënyra e riorganizimit të cilën e shohim ne tani në fillim të muajt gusht është krejt e vonë, por një organizim i ngjashëm është aplikuar edhe te gjeneratat e vjetra nga banorët lokalë. Sa e hershme është kjo traditë, kur ka filluar, si është praktikuar, si ka qenë organizimi i aktivitetit, nevojiten studime dhe të dhëna më të thelluara, në mënyrë që të japim një përfundim më të kompletuar.

Image
Xhubletë grash nga Dukagjini. Daton nga periudha e Pavarësisë. Muzeu Historik i Shkodrës

Veshja më e popullarizuar e shqiptarëve

Në vizitat e shumta të cilat realizohen në muze thuajse më së shumti na bien në sy prezantimi i veshjeve që kuratorët e muzeve u japin një hapësirë të veçantë qoftë veshjeve ose pjesëve të veshjeve. Në Muzeun Etnologjik të Prishtinës, në shtëpinë e shekullit të XIX, aty ku ka qenë e instaluar ekspozita e përhershme, me të hyrë në objekt, na është e ekspozuar xhubleta, ngjashëm e kemi rastin edhe në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, te Sektori i Etnografisë, në Muzeun Etnografik të Pejës. Xhubleta ruhet edhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës Aty janë gjithsej 12 ekzemplarë duke filluar nga xhubleta e çikave, nuseve, grave dhe ajo e plakave. Vlen ta themi se një meritë e veçantë për këtë koleksion të pasur të xhubletave, i takon Dom Nikë Ukgjinit, i cili i ka mbledhur këto kostume në Malësi dhe ia ka dhuruar Institutit Albanologjik të Prishtinës. Xhubletën e hasim të prezantuar në shumë muze në Kosovë dhe në Shqipëri. E hasim edhe në Muzeun e Alfabetit në Manastir.

Mund të themi se edhe para regjistrimit të saj në UNESCO, xhubleta është veshja më e popullarizuar e popullit shqiptar.

Veshjet në muze, prezantohen si eksponate të vlefshme që ofrojnë vizitorëve njohuri të mira. Krahas prezantimit të tyre si eksponate, ato i shohim edhe në fotografi dhe video-incizime, si dokumentarë të cilët na pasqyrojnë pamje të bukura vizuale, por edhe aspekte të tjera të mënyrës së jetesës. Veshjet tradicionale nuk janë vetëm pasqyrim i një kulture, ato janë edhe krenari për t’i bartur. “Antropologjia kulturore na mëson se njeriu duke bërë përpjekje për të jetuar dhe duke mbrojtur qenien e vet, njëkohësisht mbron dhe dashuron, e vlerëson, e prezanton dhe e ruan kulturën e vet”, shprehet studiuesja Drita Halimi-Statovci.

Duhet theksuar faktin se me gjithë praninë e studiuesve të fushave përkatëse nëpër institucionet tona të cilët vlerësojnë dhe studiojnë veshjet kombëtare, ajo që bie në sy është mungesa e theksuar e specialistëve të cilët do të kujdeseshin për konservimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie.

Nevoja për të tillë specialistë është e dukshme, sepse koleksionet e xhubletave nëpër institucionet tona ruhen në kushte jo të mira dhe rrezikojnë dëmtimin e tyre, prandaj dhe paraqitet nevoja e domosdoshme dhe vëmendja institucionale në mënyrë që t’i jepet jetëgjatësi dhe vazhdimësi traditës së xhubletës ndër ne. Me një fjalë, ruajtja e xhubletës sot, kërkon përpjekje aktive nga individët, komuniteti dhe institucionet tona kompetente, sepse “veshjet tradicionale kanë një vlerë kolektive, sigurisht që format dhe rëndësia e tyre transmetohen dhe trashëgohen brez pas brezi, së bashku me ndryshimet e nevojshme që kanë ndodhur me kalimin e kohës për shkak të shijeve dhe vlerave të ndryshme”.

Fusnotat:

Shih: Andromaqi Gjergji, Veshjet Shqiptare në Shekuj, origjina, tipologjia, zhvillimi. Mësonjëtorja, Tiranë, 2005; Agim Bido, Arti popullor në veshje e tekstile, Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1991.

Drita Halimi- Statovci, ‘Simbolizmi i veshjeve shqiptare’, GJAFE, Nr. 37, IAP, Prishtinë, 2007, f. 90; Tajuddin FN. Cultural and social identity in clothing matters “different cultures, different meanings”. European Journal of Behavioral Sciences. 2018;1(4), f. 22.

Strand EA, Mannering U, Shamir O. Sheep ëool across Eurasia. Textiles and Clothing Along the Silk Roads: Thematic Collection of the Cultural Exchanges along the Silk Roads. 2022 Oct, f. 31.

Tajuddin FN. Cultural and social identity in clothing matters “different cultures, different meanings”. European Journal of Behavioral Sciences. 2018;1(4), f. 22.

Shih edhe Drita Halimi- Statovci, Shije kulturore, IAP, Prishtinë, 2022; Valon Shkodra, Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij, IAP, Prishtinë, 2019.

Shih: Rrok Zojzi, ‘Guna në veshjet tradicionale të popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë Ballkanikë’, Etnografia Shqiptare III, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Sektori i Etnografisë, Tiranë, 1966; Andromaqi Gjergji, Veshjet Shqiptare në Shekuj, origjina, tipologjia, zhvillimi. Mësonjëtorja, Tiranë, 2005; Agim Bido, Arti popullor në veshje e tekstile, Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1991.

Të dhëna gojore nga Sadik Ramë Abazaj nga Rugova, qershor 2012.

Afërdita Onuzi, ‘Veshjet popullore simbol identifikimi (fundi i shek. XIX- fillimi i shek. XX)’, Kultura popullore, IAKSA, nr. 1-2/2008. f. 7.

Valon Shkodra, Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij, IAP, Prishtinë, 2019, f. 105-107.

Valon Shkodra, Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij, IAP, Prishtinë, 2019, f. 105-107. Shih edhe Andromaqi Gjergji, Veshjet Shqiptare në Shekuj, origjina, tipologjia, zhvillimi. Mësonjëtorja, Tiranë, 2005, f.135. Afërdita Onuzi, Veshja popullore simbol identifikimi, Kultura Popullore Nr. 1 / 2, QSA-IAKA, Tiran, 2008, f. 6. Shih edhe: Agim Bido, Arti popullor në veshje e tekstile, ASHRSH, Tiranë, 1991.

Agim Bido, Arti popullor në veshje e tekstile, ASHRSH, Tiranë, 1991, f. 59.

Shih: Valon Shkodra, Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij, IAP, Prishtinë, 2019.

Drita Halimi- Statovci, “Jeton ajo kulturë që vlerësohet”, GJAFE, IAP, Nr. 48, 2018, f. 145.

Literatura:

Afërdita Onuzi, ‘Veshjet popullore simbol identifikimi (fundi i shek. XIX- fillimi i shek. XX)’, Kultura popullore, IAKSA, nr. 1-2/2008.

Agim Bido, Arti popullor në veshje e tekstile, ASHRSH, Tiranë, 1991.

Andromaqi Gjergji, Veshjet Shqiptare në Shekuj, origjina, tipologjia, zhvillimi. Mësonjëtorja, Tiranë, 2005.

Drita Halimi- Statovci, ‘Jeton ajo kulturë që vlerësohet’, GJAFE, IAP, Nr. 48, 2018.

Drita Halimi- Statovci, Shije kulturore, IAP, Prishtinë, 2022.

Rrok Zojzi, ‘Guna në veshjet tradicionale të popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë Ballkanikë’, Etnografia Shqiptare III, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Sektori i Etnografisë, Tiranë, 1966.

Valon Shkodra, Muzeu Etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij, IAP, Prishtinë, 2019.

Drita Halimi- Statovci, ‘Simbolizmi i veshjeve shqiptare’, GJAFE, Nr. 37, IAP, Prishtinë, 2007.

Tajuddin FN. Cultural and social identity in clothing matters “different cultures, different meanings”. European Journal of Behavioral Sciences. 2018;1(4).

Iuga A. Contemporary Traditional Clothing in Maramureş. Folklore: Electronic Journal of Folklore. 2016(66).

Svensson, Tom G. “Knoëledge and Artifacts–People and Objects, on Cultural Traditions and Researched Based Collecting.”

Strand EA, Mannering U, Shamir O. Sheep ëool across Eurasia. Textiles and Clothing Along the Silk Roads: Thematic Collection of the Cultural Exchanges along the Silk Roads. 2022 Oct.

https://unesdoc.unesco.org/ark:/48223/pf0000382993.locale=en (25.06.2023).

Të dhëna gojore:

Të dhëna gojore nga Sadik Ramë Abazaj nga Rugova, qershor 2012.

Të dhëna gojore nga Prof. Agim Bido, tetor 2011.

Të dhëna gojore nga znj. Tole Berisha ekspeditë në terren, gusht 2010/kohanet

Related posts

Është bërë pagesa për bursat e nxënësve dhe studentëve si dhe subvencionimin e racionit të studentëve

admin

Serwer: Vuçiq është i interesuar ta pushtojë veriun e Kosovës

admin

Rikonstruktohet një pjesë e rrugës “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë

Gjyla Halili

Leave a Comment