“Ai është ende në burg, sipas nesh me dispozita të dyshimta procedurale dhe këtë e konsideroj një goditje për shtetin e së drejtës dhe për përpjekjen e Shqipërisë për të respektuar rregullat dhe ligjet europiane. Pres që kjo çështje të zgjidhet shumë shpejt. Është një çështje shumë e rëndësishme për ne dhe zgjidhja ose moszgjidhja e saj -uroj për të parën, e theksoj- do të jetë një element i vlerësimit grek të rrugës europiane të Shqipërisë që fillon tani dhe siç ju thashë, bëhet fjalë për një udhëtim të gjatë. Por respektimi i rregullave bazë të shtetit ligjor është një kusht i panegociueshëm për çdo vend që kërkon të bëhet pjesë e familjes europiane”, u shpreh kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis.
Kryeministri grek vijon paralajmërimin e tij duke theksuar se shpreson që mesazhi i tij të jetë kuptuar plotësisht në Shqipëri. Mitsotakis shton se e respekton plotësisht ndarjen e pushteteve në vendin tonë, por siç tha ai, nuk do lejojë që kjo çështje të kalojë lehtë.
Qeveria greke ka tentuar të ndërhyjë disa herë në rastin e Fredi Beleri, përmes ambasadës së saj në vendin tonë që ka bërë thirrje të vazhdueshme për lirimin e tij.
Të martën u betuan anëtarët e Këshillit Bashkiak të Himarës, në një seancë tepër të tensionuar konstituimi, ndërsa kryetari i zgjedhur mbeti në paraburgim duke mos marrë kështu detyrën. Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, i dyshuar për korrupsion në zgjedhje me shit-blerjen e votave.