Këta efektiv policorë shihen rrallë në terren, arsye për këtë është se janë të specializuar për operacione me rrezikshmëri ekstreme.
Por, gjatë tensioneve në veri të Kosovës angazhimi i tyre ka qenë i përditshëm.
Tani ata po qëndrojnë brenda ndërtesave komunale në tri komunat veriore, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.
Pavarësisht kontributit të madh që dhënë kjo njësi në veri, një ish drejtor policie thotë se angazhimi i tyre atje për kohë kaq të gjatë nuk është korrekt.
“Angazhimi i njësive të ndryshme në këto ditët e fundit në veri respektivisht qëndrimi i NJSI-së në objekte komunale mendoj që është jo i qëlluar sepse NJSI ka një mandate krejt tjetër dhe realisht ajo angazhohet shumë rrallë dhe ashtu duhet të ndodhë në raste tepër ekstreme”, ka thënë për RTV Dukagjinin, Rashit Qalaj, ish- Drejtor i Policisë.
E në një linjë tjetër qëndron ish-kryeshefi i Inspektoratit të Kosovës.
Sipas Valdet Hoxhës po të ishte situate e qetë në veri, ata nuk do ta kishin vendin aty
“Policia e Kosovës funksionon në bazë të policimit, në bazë të inteligjencës dhe në bazë të një analize që ata ndërmarrin paraprakisht vlerësojnë të nevojshme ose të domosdoshme në situata të caktuara praninë e njësiteve përkatëse e në këtë rast është vlerësuar për shkak të tensionit” , ka thënë Valdet Hoxha, ish- drejtor i IPK-së.
Për këtë çështje, televizioni ka pyetur edhe Policinë e Kosovës për të ofruar sqarime në lidhje me angazhimin e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) në tri komuna veriore.
Nga ky organ i sigurisë thonë se angazhimi i tyre është bërë në bazë të nevojave operacionale, bazuar në situatën në veri