BBC njoftoi se ka nisur një verifikim të saj mbi tragjedinë e anijes me emigrant të mbytur pranë brigjeve greke.
Gjiganti mediatik anglez ka siguruar prova që hedhin dyshime mbi pretendimet e rojeve bregdetare greke lidhur me rrethanat e fundosjes së peshkarexhës së tejmbushur me njerëz. Verifikimi i lëvizjeve të anijeve të tjera në zonë lë të kuptohet se anija e fundosur kishte qëndruar në vend për të paktën 7 orë përpara se të mbushej me ujë. Rojet greke vazhduan megjithatë të deklarojnë se gjatë atyre orëve, mjeti ka qenë duke lëvizur drejt Italisë dhe nuk kishte nevojë për ndihmë.
Së fundi, edhe Ministria greke e Marinës dhe Politikës Ishullore reagoi me një pohim të ngjashëm. Anija e peshkimit u mbyt në ujërat ndërkombëtare në zonën detare prej 47 miljesh detare në jugperëndim të Pylosit, thuhet në deklaratën e saj. Ajo ka qenë duke lundruar që nga momenti i pikasjes së saj gjatë orëve të mëngjesit, mesditës dhe pasdites së 13 qershorit, duke përshkruar gjithsej 24 milje detare. Gjatë orëve të pasdites po atë ditë, peshkarexhës iu afrua një anije cisternë që lundronte aty pranë për ti ofruar ndihmë, por ajo raportoi se anija peshkimit largohej me të njëjtat mjete sa herë që tentonte t`i afrohej.
Në fund, anija cisternë nisi ti furnizonte me artikuj ushqimorë, por në fundin e këtij procesi pasagjerët e peshkarexhës filluan t`i hidhnin furnizimet në det”, vazhdon deklarata. Të paktën 78 të vdekur është bilanci zyrtar i fundosjes së peshkarexhës, por shifra e jetëve të humbura mund të jetë shumë më e lartë se kaq. CNN raportoi më herët duke cituar kryetarin e parlamentit në Pakistan, Muhammad Sadic Sanjrani, se të paktën 300 pakistanezë kanë vdekur në këtë tragjedi, ndërsa OKB thote se 500 persona ende konsiderohen të zhdukur.
Top Channel