BOTA

Ukraina raporton për luftime të ashpra në lindje

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se luftime të ashpra janë zhvilluar ditën e kaluar në Bahmut, Liman, Avdijivka dhe Marjinka në Donjeck.

Ai raportoi për 26 përleshje të armatosura në këtë zonë. Ushtria ukrainase tha po ashtu se forcat ruse gjatë 17 qershorit kanë kryer mbi 40 sulme ajrore dhe 51 sulme me raketa.

“Gjatë 24 orëve të fundit, armiku ka kryer 43 sulme ajrore, 51 me raketa ndaj pozicioneve të trupave tanë dhe ndaj zonave të banuara”, tha ushtria.

Ndaras, guvernatori rajonal, Serhiy Lysol, tha se ushtria ruse ka sulmuar gjatë natës rajonin jugor të Dnipropetrovskit me dy dronë Shahed, të prodhimit iranian. Ai tha se forcat ukrainase kanë shkatërruar dronët.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se për shkak të luftimeve të ashpra në Zaporizhja Oblast, në perëndim të Donjeckut dhe përreth Bahmutit, si Rusia, ashtu edhe Ukraina po pësojnë humbje të mëdha në njerëz. Humbjet e Rusisë me gjasë janë në nivelet më të larta që nga piku i arritur gjatë betejës për Bahmutin në mars, tha ministria britanike.

Ndërkaq, zyrtarët ukrainas thanë se numri i viktimave nga shkatërrimi i digës Kahovkla më 6 qershor është rritur. Edhe 29 persona raportohet se kanë vdekur si rezultat i vërshimeve të shkaktuara nga shkatërrimi i digës në territoret e pushtuara nga Moska.

Mbi 3.600 persona janë evakuuar nga zonat e vërshuara në rajonin e Hersonit dhe Mikolajivit, ndërkaq 31 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, tha Ministria e Brendshme e Ukrainës.

Kievi e ka akuzuar Moskën se ka vendosur mina në digë dhe qëllimisht e shkatërruar atë për të vërshuar rajonin e Hersonit, me qëllim të ngadalësimit të kundërofensivës së trupave të Ukrainës.

Gazeta amerikane, New York Times, raportoi se provat sugjerojnë se shkatërrimi i digës është bërë nga Rusia. /REL


Top Channel

Related posts

Lumi ‘Cano Cristales’, i njohur jo më kot si ‘ylberi i rrjedhshëm’ i Kolumbisë (fotot)

admin

Reshjet rekord paralizojnë Hongkongun – Top Channel

admin

Zbulimi amerikan: Një shpërthim i qëllimshëm rrëzoi avionin e shefit të grupit Wagner

admin

Leave a Comment