Një ngjarje e rëndë është shënuar në shkollën e mesme të Ugandës perëndimore, ku të paktën 41 nxënës u vranë nga militantë të lidhur me grupin e Shtetit Islamik.
Sulmi më i keq i këtij vendi në më shumë se një dekadë, la të plagosur edhe disa të tjerë me armë, të cilët po marrin trajtime në spital.
Sipas autoriteteve vendase autorët sulmuan me armë shkollën duke vrarë fillimisht 22 nxënës, më pas ata hodhën bombë në një pjesë tjetër të institucionit shtetëror, duke vrarë 17 të tjerë.
Ndër të tjera kryebashkiaku i vendit deklaroi se numri përfundimtar i viktimave nuk dihet, pasi dyshohet se është relativisht më i lartë se aq.
“Tani për tani ne jemi këtu duke u përpjekur të gjejmë trupat e pajetë. Numri aktual i atyre që kanë vdekur ende nuk është përcaktuar. Vetëm gjashtë u plagosën dhe janë shtruar në spital dhe katër të mbijetuar janë këtu”, Sylvester Mapozi-kryebashkiak i Mpondwe.
Forcat e Mbrojtjes Popullore të Ugandës (UPDF) vendosën trupat e saj në zonën ku ndodhi sulmi, ata rrethuan vendin e më pas nisën kërkimet.
Deri më tani asnjë nga grupimet nuk ka marrë përsipër sulmin e rëndë, ndërsa ende vijojnë hetimet për të kuptuar më shumë.
Top Channel