AKTUALE

SHBA i kërkon Vuçiqit lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të rrëmbyer më 14 qershor. Sipas DASH, policët kosovarë po mbahen në burg në Serbi nën akuza të rreme.

Zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, përmes një deklarate për media tha se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha Miller, transmeton Telegrafi.

Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të shtunën Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve dhe t’i “të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan edhe të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp

“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, tha ai.

Miller tha gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja” .

“Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë”, tha Miller.

Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar më 16 qershor se ndaj tre policëve një gjykatë në Kralevë të Serbisë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Mministria e  Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, tha të premten se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

Me 1 qershor Bashkimi Evropian u kërkoi Kosovës dhe Serbisë organizimin sa më parë të zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pjesëmarrjen e qartë të partive serbe në ato zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Tensionet janë të larta në veri të Kosovës që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s nga përleshjet me protestuesit serbë.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme atje. /Telegrafi/

Related posts

Faton Ahmeti i ftuar në iftarin e organizuar nga KV”Jashtë Vardarit”

Gjyla Halili

VLEN: Qëndrimet e LSDM-së dhe VMRO-së janë rikthim në vitin 1990

Gjyla Halili

Ahmeti porosi VMRO-DPMNE: Keni kujdes, mos u prekni te UÇK-ja

Gjyla Halili

Leave a Comment