Vera fillon më 21 qershor dhe kjo ditë njihet me emrin solistici veror dhe është dita më e gjatë e vitit. Në këtë ditë të vitit dielli lind më herët dhe perëndon më vonë se në çdo ditë tjetër të vitit. Kjo i bën ditët e verës të duken më të gjata, sepse ka më shumë rreze dielli.
Stina e verës është e njohur për motin e ngrohtë dhe me diell. Edhe pse e duam këtë mot, ne prapë mundohemi të gjejmë mënyra për t’u freskuar. Për të arritur këtë qëllim ju mund të shkoni për të notuar në lumë apo pishinë. Kjo është një mënyrë me të vërtetë argëtuese për t’u freskuar. Mund të luani me zorrë uji apo të vraponi rreth fontanave. Dhe kur të lodheni pas të gjitha këtyre aktiviteteve, mund të pushoni nën hijen e ndonjë peme. Të lexoni ndonjë libër apo të luani lojëra të tjera relaksuese.
Përveç këtyre që i përmendëm, ekziston edhe një mënyrë tjetër për t’u freskuar. Ajo është përmes ngrënies së akulloreve, të cilat janë të preferuarat tona gjatë ditëve të ngrohta të verës. Mirëpo, mos harroni se moti gjatë verës nuk është gjithmonë me diell. Edhe gjatë kësaj stine ka stuhi të mëdha shiu. Këto stuhi shiu ndodhin kur i nxehti i verës dhe lagështia bashkohen me ajrin e ftohtë për të krijuar pika të shiut.
Po ju, a keni luajtur ndonjëherë jashtë kur bie shi? Përveç që na argëton neve, ky shi është shumë i dashur edhe për bimët. Ato kanë nevojë për diellin dhe ujin që të rriten. Për këtë arsye gjatë stinës së verës lulet, pemët dhe perimet rriten shumë.
Po kafshët, a e dini çfarë bëjnë gjatë verës? Shumë kafshë lindin dhe rriten shumë shpejt gjatë verës. Zogjtë e sapoçelur rriten dhe largohen nga foletë. Breshkat rriten shumë, kurse drenushat dhe lepujt lindin më shpejt gjatë kësaj stine. Gjithashtu edhe insektet janë shumë të zëna në verë. Fluturat dhe bletët mbledhin nektarin nga lulet, ndërsa milingonat grumbullojnë ushqimin.
Përveç kafshëve, edhe ne njerëzit jemi mjaft të zënë gjatë stinës së verës, sepse gjatë kësaj kohe zhvillojmë aktivitete të ndryshme. Vera është stina më e mirë për të qenë jashtë. Ne shkojmë për kamping, luajmë në hapësira të hapura sporte dhe lojëra të ndryshme, që janë shumë argëtuese. Në verë kënaqësi të madhe sjell edhe bregdeti së bashku me festimet e shumta që ndodhin në këtë kohë.
Pra, vera është stina e pushimeve dhe festimeve. Koha për të dalë jashtë që të luajmë, për të qenë aktiv dhe për t’u argëtuar. Për këtë arsye është stina e preferuar e shumicës prej jush. Mirëpo fëmijë, harrova t’ju pyes: Cili është aktiviteti i juaj i preferuar që ta bëni gjatë verës? Besoj se keni shumë aktivitete të tilla. Kështu që, çfarë jeni duke pritur akoma? Dilni në natyrë dhe realizoni të gjitha ato. Vera ka ardhur dhe tani është koha që të kënaqemi sa më shumë/koha