“Kulla 2023” është gara e parë në disiplinën malore për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm.
Shtegu atraktiv, tradita dhe interesimi i përhershëm, e bëjnë të veçantë këtë garë, jo vetëm për garuesit tanë, por edhe ata nga vende tjera, një numër i konsiderueshëm i të cilëve e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Është e sigurt që do të ketë shumë rivalitet dhe adrenalinë, por edhe ambicie për fituar pikë e për të nisur kampionatin në mënyrën më të mirë edhe në këtë disiplinë.
Organizatori, AK Visari-Peja, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe Komunën e Pejës, tashmë i kanë bërë përgatitjet e duhura.
“Ne si klub, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës dhe Komunën e Pejës i kemi bërë përgatitjet e duhura që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme”, është shprehur kryetari i AK Peja, Bujar Hyseni.
Ai beson që të gjithë pjesëmarrësit të kontribuojnë për një garë sa më të mirë.
“Kulla është e veçantë dhe gjithmonë ka pasur interesim, si për pjesëmarrje, ashtu edhe nga dashamirët e automobilizmit.
Kështu presim të jetë edhe në këtë fundjavë.
Besojmë se të gjithë garuesit, zyrtarët dhe shikuesit do të japin kontributin e tyre në mënyrë që gara të zhvillohet normalisht dhe të japim shembullin më të mirë të një organizimi të mirëfilltë sportiv”, ka shtuar Hyseni.
Paraqitja në garë bëhet të shtunën nga ora 09:00-11:00 për të vazhduar më pas me procedurat e zakonshme.
Mbyllja e shtegut për veturat civile do të bëhet në orën 12:15, ndërsa organizatori do të bëjë përpjekje që pritjet e kalimtarëve në këtë aks të jenë sa më të shkurtra.
/BotaSot/