SHQIPËRI

Reagon Petkoviq: Llune është luftëtar i interesave kombëtare serbe

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme një serb me emrin Millun Millenkoviq- Llune, i cili sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.

Sipas ministrit, ai dyshohet se ka organizuar edhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

E ndaj këtij rasti ka reaguar Beogradi zyrtar përmes Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili deklaroi se Millun Millenkoviq- Llune nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat ndaj tij.

“Kanë vënë në shënjestër kalimtarët e rastit, i mbanin nën kërcënimin e armëve me tyta të gjata. Është policia e Kurtit që shërben për të maltretuar popullin serb. Arrestimet u bënë në kohën kur familjet e Radoshit dhe Dushanit po bënin një protestë paqësore. Llune nuk është kriminal, ajo që ka Llune janë medaljet e shumta. Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, tha Petkoviqi gjatë një konference për media në Beograd.

“Llunen e ka përndjekur me muaj policia e Kosovës sepse është luftëtar i interesave serbe, gjatë arrestimit është krijuar një gjendje rrethimi, një numër i madh kanë hyrë në pjesën veriore, policia ka hedhur gaz lotsjellës në rrugë dhe i ka vënë në shënjestër kalimtarët e rastësishëm”, ka thënë Petkoviq, duke shtuar se jemi në situatën më të vështirë deri tani.

Tutje, ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend se të ulë tensionet, po dërgon forca të reja policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Petkoviqi i bëri thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe të largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Ai po ashtu tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës ka biseduar disa herë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Sipas mediave serbe, Komandanti i KFOR-it nesër do të shkojë në Beograd për t’u takuar me presidentin serb Vuçiq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsiloviq.

Related posts

Fundoset anija me emigrantë në Greqi, 79 të vdekur dhe qindra të zhdukur

admin

Një autobus përfshihet nga zjarri në një autostradë në Kroaci, kjo është gjendja e pasagjerëve

admin

“Përse Moska do Metën?”/ Spartak Ngjela për “Top Story”: Rusia është armiku ynë! E do për Shqipërinë

admin

Leave a Comment