Nis heshtja elektorale në Mal të Zi. Fushata kaloi qetë, por në prag të zgjedhjeve ka pasur alarme për bomba dhe gaz nervash si dhe mesazhe kërcënuese në 125 adresa.
Mali i Zi nga mesnata hyri në heshtje zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën më 11 qershor. Të drejtë vote në këto zgjedhje, të tretat në ciklin zgjedhor brenda 9 muajve në Mal të Zi, kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore. Këto janë zgjedhjet e dymbëdhjeta parlamentare që nga vendosja e pluralizmit në Mal të Zi. Partia Demokratike e Socialistave (PDS) për të parën herë hyn në zgjedhje pa liderin e saj Millo Gjukanoviq, i cili pas tri dekadash është terhequr si lider i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviq.
Partitë në sondazhe
Në zgjedhjet e së dielës për të parën herë ka hyrë në garë lëvizja “Evropa Tani”, e cila sipas hulumtimeve ka përkrahjen më të madhe të qytetarëve. Gjithnjë sipas sondazheve të bëra e dyta për nga numri i përkrahësve është “Partia Demokratike e Socialistave” (PDS). Lëvizjen “Evropa Tani” e krijuan ish-ministrat e qeverisë së Zdravko Krivokapiq, Millojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Millatoviq . Të dy këta, njëri në postin e ministrit të Financave dhe tjetri në postin e ministrit të Ekonomisë mbahen mend nga opinion sepse realizuan programin “Evropa Tani 1” që nënkuptoi rritjen e pagave dhe të pensioneve dhe për këtë arsye menjëhere gëzuan popullaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në radhët e qytetarëve të Malit të Zi.
respektivisht me lëvizjen URA të Dritan Abazoviqit.
Për shkak të kësaj situate të krijuar, një pjesë e analistëve dhe njohës të situatave politike nuk përjashtojnë as mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sepse asnjë koalicion apo subjekt nuk do të ketë shumcën absolute prej 41 vendeve në Parlamentin e Malit të Zi. Në prag të zgjedhjeve ka pasur alarme për bomba dhe gaz nervash si dhe mesazhe kërcënuese në 125 adresa. Janë evakuuar disa institucione në Mal të Zi.
Dy ditë para zgjedhjeve, Mali i Zi është përballur me mesazhe kërcënuese për vendosjen e lëndëve plasëse dhe bombolave helmuese në disa institucione shtetërore. Pjesë e institucioneve që janë kërcënuar janë shkollat, institucionet parashkollore, godina gjykatash, prokurori, disa ministri, Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Kërcënimet që erdhën përmes e-maileve, bën që policia të evakuojë dhe të mbyllë të gjitha institucionet parashkollore dhe shkollore, godinat e gjykatave, prokuroritë, disa ministri, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare në pesë qytete të Malit të Zi.