KOSOVË

Drafti i Edi Ramës për Asociacionin, “tekst serioz“ për BE-në

Disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian, që thonë se kanë pasur mundësi të shohin tekstin e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të dorëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, “teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”.

Prandaj, sipas burimeve, “testi po analizohet me kujdes”.

Por, në pyetjet se a do të merret parasysh ky draft, për të avancuar në dialog, këto burime kanë thënë se “ky tekst shihet si një kontribut në këtë drejtim, sikurse edhe drafte tjera që janë punuar deri me tash nga organizatat e ndryshme joqeveritare“.

“Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ka këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi“, ka thënë një diplomat i BE-së.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor, se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me draftin e propozuar nga Shqipëria.

Në BE thonë se, përveç drafteve të ndryshme, që janë paraqitur nga organizata të ndryshme, janë paraqitur edhe shumë “shembuj evropianë“, që mund të shërbejnë si model për të siguruar një model të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin etnik serb në Kosovë.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një prej obligimeve të Kosovës, për të cilin BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara insistojnë më së shumti.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes dy vendeve, është prezantuar një draft për Asociacionin i përpiluar nga Ekipi Menaxhues – i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.

Drafti është refuzuar menjëherë nga Kosova, derisa burimet në BE kanë thënë se kanë pritur diçka të tillë.

Kurti, më vonë, e ka prezantuar një “draft vizion“, duke u bazuar në shembullin e Kroacisë, ku ekziston një Këshill Kombëtar për komunitetin serb.

BE-ja insiston se ka shumë modele që mund të merren parasysh dhe se, nëse ekziston vullneti i mirë, edhe kjo çështje, e cila është vonuar aq shumë, mund të përmbyllet me sukses.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Related posts

Amerika miraton vaksinën RSV për gratë shtatzëna

admin

Kurti shpërfilli thirrjet për të shuar tensionet! Dhuna në Kosovë mund të përshkallëzohet shpejt

admin

I amputohet këmba ushtarit të KFOR-it që u plagos gjatë tensioneve në Zveçan

admin

Leave a Comment