AKTUALE

Qeveri e re pa BDI-në dhe pa Kovaçevskin, ndryshimet kushtetuese më së voni në shtator?!

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, për nesër në mesditë ka thirrur seanca urgjente të Këshillit Ekzekutiv dhe Qendror të partisë, bëjnë të ditur burime nga socialdemokratët.

Takimet e udhëheqësisë partiake vijnë pas takimit të djeshëm të liderëve Kovaçevski – Mickoski, ku të dy lanë mundësinë për vazhdimin e dialogut.

Bazuar në përvojën nga e kaluara, caktimi i dy seancave urgjente të organeve më të larta të LSDM-së brenda një dite, tregon se aty pritet të shqyrtohen propozime konkrete për të cilat kryetari i kësaj partie Kovaçevski, njëheri kryeministër, do të kërkojë aprovimin e bashkëpartiakëve më të afërt.

Edhe në kuloare po qarkullojnë informacione konkrete lidhur me vendimet që mund të sillen. Si informacion më i shpeshtë po përflitet dorëheqja e Kovaçevskit nga posti kryeministror, por mbetja në postin e kryetarit të LSDM-së dhe propozimi I një mandatari të ri, që do të ishte hera e dytë të ndodhë diçka e tillë, që nga koha kur Hari Kostov u bë kryeministër, shkruan Zhurnal.

Si emra të mundshëm për kryeministra të rinj më së tepërmi përmenden Oliver Spasovski, por edhe Fatmir Bytyqi, dhe në rast se ai pranohet edhe nga partitë tjera, do të plotësohej premtimi për kryeministër të parë shqiptar.

Nëse partitë tjera shqiptare pranojnë të jenë pjesë e kësaj qeverie, BDI do të mbetet në qëndrimin e proklamuar që të mbetet jashtë ekzekutivit për hir të kalimit të ndryshimeve kushtetuese, sado kundërthënieve që janë paraqitur brenda kësaj partie. Kjo do të thotë se të mëdha janë gjasat të kemi qeveri pa BDI-në dhe pa Kovaçevskin, por e cila do të kalonte ndryshimet kushtetuese deri në fund të muajit gusht, ose në fillim të shtatorit kur deputetët kthehen nga pushimet, shkruan Zhurnal.

Në një vijë me këto informacioneve konsiderohet edhe deklarata e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili për TV21 thotë se ditëve në vijim pritet që të ketë propozime konkrete për Qeverinë që do të votonte ndryshimet kushtetuese.

Ndryshe, pritet që tema e mbledhjes së nesërme të trupave më të larta të LSDM-së, të jenë mënyra dhe forma se si do të zhvillohen bisedimet e mëtejshme me VMRO-DPMNE-në.

Related posts

Ministri Nikollovski e ka dërguar Ejup Rrustemin në Prokurori, për Grubin ende nuk dihet!?

Gjyla Halili

Përballje Kasami-Ahmeti në zonën 6!

Gjyla Halili

MEHMET KONICA, VEPRIMTAR POLITIK E DIPLOMATIK, DELEGAT I VATRËS NË ARENËN NDËRKOMBËTARE

Gjyla Halili

Leave a Comment