SHOWBIZ

Doli nga shtypi libri “Dhuna në familje në prizmin e së drejtës“ nga Vedije Ratkoceri dhe Albana Metaj

“Dhuna në familje në prizmin e së drejtës” është titulli më i ri i sapo publikuar nga dy profesoreshat universitare të juridikut, Vedije Ratkoceri dhe Albana Metaj, ata thonë se ky tekst universitar është i pari i këtij lloji në Maqedoninë e Veriut.

Autoret theksojnë se studimi i dhunës në familje ka vite që ka hyrë si disiplinë e veçantë në programin akademik të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Evropës Juglindore ku ata ligjërojnë.

“Në të gjithë universitetet e botës, lëndët që kanë të bëjnë me të drejtat e grave, barazinë gjinore, dhunën me bazë gjinore etj., e kanë pasur të vështirë të afirmohen si fusha të veçanta akademike, në çdo lëmi, aq më tepër në fushën e studimeve juridike”, nënvizojnë autoret Ratkoceri dhe Metaj.

Ky botim vjen si një përpjekje e parë e autoreve për të paraqitur në mënyrë të përmbledhur leksionet dhe ligjëratat e mbajtura vitet e fundit në auditorët universitarë, por është edhe një përmbledhje e punës kërkimore disavjeçare në këtë fushë.

Autoret synojnë që botimi t’u vijë në ndihmë në radhë të parë studentëve të drejtësisë, në parapërgatitje për provimin e lëndës “Dhuna në familje”.

Megjithatë, edhe profesionistë të ndryshëm të drejtësisë, studiues, prokurorë, avokatë, zbatues të ligjit, punonjës socialë, përfaqësues të organizatave joqeveritare, apo persona të tjerë të cilët në çfarëdo forme merren me dhunën në familje, përfshirë këtu edhe qytetarë të thjeshtë, mund të gjejnë në të zanafillat e debateve të rëndësishme lidhur me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.

“Ky libër trajton në mënyrë shkencore fenomenin e dhunës në familje si një fenomen ndërdisiplinor në të cilin ndërlidhen dy degët kryesore të së drejtës: e drejta penale dhe e drejta civile (familjare). Autoret nuk pretendojnë të kenë formuluar një botim të plotë, që të mbulojë tërësisht dhe gjerësisht aspektet e ndryshme të fenomenit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Ato synojnë që ky tekst të shërbejë si hyrje në konceptet e ndryshme juridike që lidhen me dhunën në familje”, theksuan autoret.

Përndryshe, lufta për të drejtat e grave ka një histori të gjatë pengesash dhe përparimesh të mundimshme. Mirëpo me shtysën që ka marrë kjo lëvizje vitet e fundit, si dhe me ndërgjegjësimin gjithmonë në rritje, veçanërisht në kuadrin e zhvillimeve në Bashkimin Evropian, lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore po merr një rëndësi të veçantë edhe për studentët dhe profesionistët e drejtësisë.

Related posts

Kënga e re e Encës do të publikohet të premten

admin

Islam Islami, emërohet drejtor i Medresesë “Isa Beu” në Shkup

admin

Çfarë simbolizon fjongoja blu që të famshmit kishin vendosur në “Oscars 2023”

admin

Leave a Comment