Nis për herë të parë grumbullimin përfaqësuesja e rajonaleve U-14!
Pas ekipit U-13 që u mblodh për herë të parë javën e kaluar, tashmë do të seleksionohen edhe më të mirët nga zonat rajonale të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit dhe Lezhës për vitlindjen 2010.
Trajnerë të kësaj skuadre do të jenë Erion Stavri dhe Oerd Kotja, ndërsa për këtë grumbullim të parë 2-ditor janë ftuar 20 lojtarë. Bëhet fjalë për elementët më të spikatur të kësaj grup-moshe të cilët u evidentuan edhe në turneun e fundit të përfaqësueseve rajonale.
Skuadra do të grumbullohet në Tiranë pasditen e 30 qershorit, ndërsa seancat stërvitore do t’i zhvillojë në fushën e Shtëpisë së Futbollit. Përveç seancave stërvitore skuadra do të ketë edhe një miqësore kundër ekipit përfaqësues rajonal U-14 të Tiranës, që do të luhet ditën e mërkurë duke filluar nga ora 17:30.
Kjo risi vjen pas prezantimit të projektit të ri për përfaqësueset rajonale kombëtare nga Drejtori Teknik të FSHF-së, Fulvio Pea, me objektiv kryesor rritjen e cilësive të futbollistëve shqiptarë që në bazë.
Futbollistët e evidentuar do të krijojnë bazën e përfaqësueseve rajonale në mënyrë që të mbahen në monitorim për të përzgjedhur më pas lojtarët më të mirë për ekipin kombëtar U-15.
Gjithashtu, ky seleksionim do të shërbejë edhe për të motivuar lojtarët e rinj që të punojnë më shumë dhe të ndihen të vlerësuar.
/BotaSot/