Finalja e madhe e Kupës së Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave do të zhvillohet sot pasdite në ‘Fadil Vokrri’,ku do të përballen KFF Mitrovica dhe KFF EP Hajvalia.
Kjo ndeshje do të luhet me fillim nga ora 17:00 në kryeqytet dhe për të do të përdoret edhe sistemi VAR.
FFK-ja u ka bërë ftesë të gjithë dashamirëve të futbollit të marrin pjesë në këtë ndeshje që pritet të jetë madhështore.
“Të mërkurën në finalen e Kupës së Kosovës përballen dy skuadrat më cilësore në futbollin e femrave, KFF Mitrovica – KFF EP Hajvalia. Do të jetë kjo një betejë e fortë për trofeun e parë të edicionit. ‘Fadil Vokrri’ është gati për t’i pritur dy rivalët e mëdhenj dhe tifozët e tyre, në një ndeshje ku do të përdoret edhe sistemi VAR.
Ecuria e këtyre dy skuadrave gjatë këtij edicioni dhe fondi cilësor i futbollisteve bëjnë që kjo ndeshje të jetë atraktive dhe emocionuese.
Ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit që të marrin pjesë në këtë spektakël të jashtëzakonshëm të futbollit të femrave”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
/BotaSot/