New York, 28 Prill 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA u vizitua nga z.Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Gazmend Muhaxheri Kryetari i Komunës së Pejës, z.Alban Hyseni Kryetari i Komunës së Gjilan, z.Qemajl Aliu Kryetari i Komunës Shtime dhe z. Ruzhdi Shehu Kryetari i Komunës Junik bashkë me stafet e tyre politike. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes shpjegoi për miqtë rolin e Vatrës në historinë e kombit shqiptar dhe marrëdhëniet institucionale me shtetin e Kosovës. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj në fjalën e tij shpjegoi për miqtë rolin e Vatrës e vatranëve në Amerikë dhe sidomos te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pavarësia e shtetit të Kosovës. Z.Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në fjalën e tij tregoi sukseset e shtetit të Kosovës dhe bëri thirrje për bashkëpunim më të fuqishëm të mërgatës për zhvillimin e Kosovës.
Z.Gazmend Muhaxheri Kryetari i Komunës së Pejës theksoi mbështetjen e Vatrës e mërgatës së Amerikës sidomos në vitin 1999. Z.Alban Hyseni Kryetari i Komunës së Gjilanit deklaroi se me anë të Vatrës rritet fuqia dhe mbështetja e mërgatës në dobi të çështjes së Kosovës dhe mirëqënies së popullit në Kosovë. Z.Qemajl Aliu Kryetari i Komunës Shtime tha se Vatra është historia më e lavdishme e kombit tonë. Ata na kanë udhëhequr në kohët më të vështira, sot kemi shumë nevojë për një tjetër mbështetje po kaq të rëndësishme e të fuqishme. Uashingtoni është Vatikani dhe Meka e kombit tonë, tha në fjalën e tij z.Aliu. Z. Ruzhdi Shehu, Kryetari i Komunës Junik theksoi se bashkëpunimi me organizatat patriotike në mërgatë është i domosdoshëm ku Vatra ka rolin e saj kryesor. Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij theksoi rëndësinë e unifikimit të faktorëve shqiptarë për të mirën e kombit tonë. Z.Asllan Bushati në fjalën e tij u ndal te ndryshimet gjeostrategjike, ushtarake dhe politike në mbarë globin dhe kërkoi që gjithë shqiptarët të mbrojnë luftën e drejtë e të ndershme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Z.Anton Raja theksoi se shqiptarët sot për sot duhet të punojnë më shumë për atdheun tonë. Z.Ilir Cubi si shqiptar i lindur në Amerikë u shpjegoi të pranishmëve ruajtjen e trashëgimisë dhe identitetit kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi u mbyll me dhuratat përkatëse simbolike dhe vazhdoi gjatë me biseda për të ardhmen e Kosovës e shqiptarëve në trojet etnike.
Vatra e Dielli i shprehin mirënjohje gazetarit Halil Mula për ndjekjen me profesionalizëm të aktivitetit patriotik.