Refuzimi i Alternativës për të marrë pjesë në grupin e punës të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet kushtetuese është në sinkron me refuzimin e Lëvizjes Besa, vlerëson gazetari shumëvjeçar dhe njohësi i zhvillim,eve politike në vend Aco Kabranov.
Ai thotë se Alternativa pretendon në koalicion parazgjedhor me Besën dhe pas-zgjedhor me VMRO-DPMNE-në dhe Mickoskin.
“Alternativa ende pretendon se i mbështesin ndryshimet kushtetuese, por mendoj se kanë marrëveshje me Besën që të bëjnë koalicion parazgjedhor pastaj pas-zgjedhor dhe ta bëjnë koalicionin shqiptar partner në qeverinë e Mickovskit, në rast se VMRO DPMNE fiton zgjedhjet. Edhe Besa edhe Alternativa, sidomos Besa nuk është pro rrugës pro-evropiane të shtetit”, deklaroi Kabranov për Indeks.mk
Në anën tjetër, analisti politik Urim Saliu thotë se secila parti ka politikat e tyre të veprimit por në momente delikate nuk duhet bërë politika ditore për çështje kaq serioze.
“Ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin dhe këtu nuk duhet aspak të ketë përplasje dhe vonesa sepse secila parti proklamohet se është pro evropiane por kjo duhet dëshmuar në kohë përndryshe kjo merr një konotacion tjetër. Që parti të caktuara maqedonase janë kundër këtyre ndryshimeve kjo dihet por në këtë grackë nuk guxojnë të bien asnjëra nga partitë tona përfshirë sidomos opozitën që tashmë e përbëjnë Besa dhe Alternativa. Këto dy subjekte duhet realisht ti bashkëngjiten Grupit të Punës të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet Kushtetuese pa asnjë mëdyshje . Me këtë ata bëhen pjesë e meritave”, deklaroi Saliu për Indeks.mk
Sipas tij, ka plot dështime një qeveri ku si opozitë duhet ta atakosh pandërprerë por jo në këtë rast sepse nuk bëhet fjalë për pikë politike por për procese të rëndësishme.
“Në të ardhmen kjo opozitë e sotmja mund të jetë në pushtet nesër. Opozita shqiptare duhet të jetë shumë e kujdesshme në këtë drejtim sepse janë pikërisht këto momente ku e ndan një fije peri orientimin politik pro evropian dhe kundër tyre. Vepro si opozitë por duke qenë një aleat i madh i ndërkombëtarëve që kanë investuar shumë për këtë vend me plot tensione dhe rivalitete të skajshme”, nënvizoi Saliu.