Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian, Tbilisi, për të natën të tretë me radhë, pavarësisht se partia qeverisëse, Ëndrra gjeorgjiane, u zotua se do të tërheqë Ligjin kundërthënës për “agjentë të huaj” nga Parlamenti.
Protestuesit më 9 mars u mblodhën sërish jashtë Parlamentit, ku valëvitën flamujt të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian dhe brohoritën slogane kundër Qeverisë dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Protestat nisën më 7 mars pasi Parlamenti votoi legjislacionin për agjentë të huaj, që mbështetej nga partia në pushtet. Kritikët kanë paralajmëruar se legjislacioni, që detyron organizatat e shoqërisë civile që pranojnë mbi 20 për qind të fondeve të tyre nga jashtë të klasifikohen si “agjentë të huaj”, është i njëjtë me legjislacionin e miratuar në Rusi.
Në protestat e 7 dhe 8 marsit, protestuesit u përleshën me forcat e sigurisë dhe u arrestuan të paktën 77 persona dhe rreth 50 policë u lënduan.
Policia përdori gaz lotsjellës, shok-bomba dhe topa uji kundër protestuesve.
Përballë protestave dhe kritikave të ashpra nga Perëndimi, Ëndrra gjeorgjiane njoftoi më 8 mars se do të tërhiqte legjislacionin duke thënë “si parti e Qeverisë që është e përgjegjshme për çdo anëtar të shoqërisë, ne kemi vendosur që ta tërheqim projektligjin që e kemi mbështetur”.
Por, mbrëmjen e 8 marsit protestuesit sërish dolën në rrugë duke kërkuar nga Qeveria që zyrtarisht të tërheqë ligjin dhe të lirojë të gjithë të arrestuarit.
Më pas Ministria e Brendshme gjeorgjiane njoftoi se të gjithë protestuesit që u arrestuan u liruan, por hetimet për aktet e dhunës do të vazhdojnë.
Në mbrëmjen e 9 marsit, presidentja gjeorgjiane, Salome Zurabishvili, u dërgoi një mesazh mbështetjeje protestuesve përmes një video-adresimi.
“Para së gjithash, dua t’iu uroj të gjithëve si shoqëri për këtë fitore të parë të këtij lloji. Mirëpres përmirësimin e hapave të ndërmarra nga Qeveria për faktin se ata u tërhoqën nga ky draft-ligj”, tha ajo.
Ajo tha se Qeveria duhet të marrë parasysh “fuqinë e vërtetë të njerëzve. Ajo që kemi parë rrugët e Tbilisit është unitet. Nëse ne jemi shtet demokratik, nuk duhet që Qeveria dhe Parlamenti të mos marrin parasysh zërin dhe vullnetin e popullit”.
Partitë opozitare përmes një deklarate të përbashkët thanë më 9 mars se protestat do të vazhdojnë derisa të ketë garanci se “Gjeorgjia është në kursin pro-perëndimor”.
Opozita shpesh ka kritikuar Ëndrrën Gjeorgjiane se është shumë e afërt me Moskën, e cila mbështet separatistët në rajonet e shkëputura gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut. /REL