AKTUALE

Konferencë për përfitimet nga digjitalizimi i funksionimit doganor

Të gjitha vendet e botës, e para së gjithash ato të zhvilluara dhe shtetet e Bashkimit Evropian, janë të fokusuara në digjitalizimin e funksionimit doganor, gjë që mund të lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e mallrave, porositi drejtoresha e Drejtorisë Doganore Sllavica Kutirov në fjalimin e konferencës “Përmes digjitalizimit drejt gjeneratës së re të bashkëpunimit”, që mbahet sot në Shkup, në të cilën marrin pjesë krerët e drejtorive doganore të rajonit dhe organizatat partnere ndërkombëtare.

“Qëllimi i digjitalizimit është të unifikohet, lehtësohet dhe përshpejtohet qarkullimi i mallrave dhe tregtisë ndërkombëtare në tërësi dhe në këtë mënyrë të sigurohet konkurrencë më e madhe e kompanive dhe rritje e ekonomisë, duke reduktuar në mënyrë paralele mundësinë e veprimeve të paligjshme. Përfitimet e digjitalizimit dhe lehtësimit të tregtisë synojnë mbi 11.000 kompani vendore – pjesëmarrëse aktive në procedurat importuese-eksportuese doganore”, tha Kutirov.

Ajo theksoi se të një rëndësie të madhe për vendin janë edhe aktivitetet që zhvillohen paralelisht në kuadër të nismës “Ballkani i hapur” në drejtim të harmonizimit dhe lehtësimit të mëtejshëm të procedurave ndërkufitare, me qëllim, siç tha ajo, mundësimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe integrimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

“Ajo që është sfida e vërtetë për doganat është lufta e vazhdueshme me të cilën përballemi, për të siguruar një ekuilibër midis nevojës për përshpejtim më të madh të tregtisë ndërkufitare, që synon rritjen e tregtisë ndërkombëtare nga njëra anë, dhe zbatimi i kontrolleve efikase për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve në anën tjetër, duke siguruar me këtë rast arkëtimin efikas të të hyrave dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit”, thekson Kutirov.

Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore, Masimiliano Paoluçi, bëri të ditur se fokusi i ngjarjes së sotme është digjitalizimi i procedurave kufitare dhe sistemi njësportelësh në Ballkanin Perëndimor dhe shqyrtimin e mundësive për tregtinë ndërkufitare pa letra në rajon.

“Ballkani Perëndimor nuk përdor potencialin e plotë që mund të ketë integrimi i ngushtë me zinxhirët globalë. Pavarësisht investimeve në infrastrukturë dhe menaxhim ndërkufitar, ende duhet shumë kohë për të transportuar mallra. Për shembull, ulja e kohës mesatare të pritjes në pikat kufitare në rajon vlerësohet të jetë e barabartë me heqjen e 4.6 për qind të tarifës “ad valorem”. Por, për fat të keq, shumë barriera dhe kufizime jotarifore bllokojnë rrugën për eksport më të madh të mallrave dhe shërbimeve”, theksoi Paoluçi.

Sipas hulumtimit të fundit të Bankës Botërore, siç theksoi ai, përmirësimi i infrastrukturës tregtare dhe zvogëlimi i ngecjes në kufijt mund të gjenerojë fitim ndërmjet 0.5 dhe 1.4 për qind në të ardhurat reale për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përfitimin më të madh për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se mënyra bashkëkohore, dinamike e lëvizjes ndërkufitare të njerëzve dhe mallrave kërkon ndryshime të vazhdueshme në ushtrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

“Digjitalizimi, zbatimi i zgjidhjeve më bashkëkohore teknologjike gjatë zhdoganimit dhe bashkëpunimi i ngushtë në nivel rajonal në këtë fushë janë faktorë kyç në ofrimin e përgjigjes adekuate ndaj nevojave dhe kërkesave në rritje të kompanive dhe qytetarëve tanë. Shërbimet doganore në një ekzistencë kaq dinamike përballen me nevojën e përmirësimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së tyre, në mënyrë që të njihen si partnerë që mbështesin qytetarët dhe kompanitë. Në mënyrë që të sigurohet shkëmbim i sigurt dhe i shpejtë i mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, nevojitet nivel i lartë i profesionalizmit dhe transparencës në bashkëpunim me të gjithë pjesëmarrësit në tregtinë bashkëkohore”, theksoi Besimi.

Dogana, shtoi ai, vazhdimisht angazhohet në përmirësimin e funksionimit doganor përmes digjitalizimit dhe zbatimit të zgjidhjeve më bashkëkohore teknologjike, të cilat janë shtyllat themelore të një drejtorie moderne doganore.

“Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve për operatorët ekonomikë dhe kontrolle më efektive dhe në këtë drejtim po ndërmerren aktivitete për sendërtimin e sistemeve për deklarime elektronike doganore dhe dokumente të akcizës (SOCDAD) dhe për mjedisin e integruar tarifor (MIT), përmirësim të sistemit njësportelësh për lejet e importit, eksportit dhe transitit të mallrave dhe kuotave tarifore (EXIM), parashtrimi elektronik i kërkesave dhe lëshimi i lejeve doganore (MEOS), si dhe shërbimi i ri për kontrollin e lejeve të transportit të lëshuara nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve”, tha Besimi.

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi, theksoi se konsistenca e administratës sonë doganore, pasioni dhe Përkushtimi do të rezultojë në zbatimin korrekt dhe të suksesshëm të vetëm në këtë projekt, por nga puna e tyre do të përfitojnë edhe qytetarët tanë dhe bizneset tona.

Bytyqi theksoi se me zbatimin e plotë të komponentit të parë do të bëhet e mundur thjeshtimi i procedurës së kalimit kufitar, duke minimizuar kohën e kaluar në pritje në kufi dhe duke reduktuar ndjeshëm numrin e dokumenteve të nevojshme për përpunimin dhe administrimin e shërbimeve doganore.

Komponenti i dytë, siç tha Zëvendëskryeministri, do të rrisë më tej efikasitetin në parashikueshmërinë e transportit duke i lejuar ata të ndërtojnë dhe instalojnë sistemin më gjithëpërfshirës inteligjent të transportit në autostradën më të përdorur në vend – Korridorin 10.

“Kjo është plotësisht në përputhje me strategjinë tonë kombëtare për sistemet inteligjente të transportit të miratuar në vitin 2022 dhe do të kontrollohet plotësisht nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Trafikut me seli në Petrovec”, tha Bytyqi.

Gjatë implementimit të komponentit të tretë të projektit, Qeveria pret rritje të qasjes në shërbime dhe një rritje të investimeve rajonale përmes zbatimit të të gjitha protokolleve të nevojshme të CEFTA-s për të respektuar të gjitha iniciativat dhe rregulloret rajonale dhe për të shmangur çdo rrethanë në të cilën kompanitë tona apo qytetarët tanë nuk do të trajtohen në mënyrë të barabartë me ata nga i gjithë rajoni.

“Në raportin e fundit për vendin të Komisionit Evropian lidhur me organet tona doganore vlerësohet një nivel i mirë i përgatitjes me progres të vazhdueshëm pothuajse çdo vit në konsolidimin, zbatimin dhe përmirësimin e sistemit të IT-së”, theksoi Bytyqi.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave (OBD), Kunio Mikuria, në fjalimin e tij tha se bashkëpunimi rajonal përmes digjitalizimit është diçka që OBD-ja po përpiqet ta promovojë në mbarë botën.

“Ne në Organizatën Botërore të Doganave shpesh theksojmë katër gjëra – përdorimin e veglave dhe standardeve ndërkombëtare, teknologjisë, ushtrimin dhe trajnimin e nëpunësve doganorë dhe ndërtimin e besimit. Në këtë drejtim i mbështesim edhe anëtarët tanë, theksoi Mikuria.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, veçanërisht pasi digjitalizimi i procedurave ndërkufitare mund të kontribuojë në një treg të përbashkët më të madh.

“Dogana  në të shumtën e rasteve është çështje shumë teknike, pa u politizuar. Shpresoj që përmes bashkëpunimit ndërkufitar, përdorimit të teknologjisë, trajnimit të mirë të doganierëve, përdorimit të standardeve dhe beglave ndërkombëtare, do të jetë e mundur të ndërtohet besimi midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe më tej me vendet e BE-së dhe të botës”, tha Mikuria.

Ai porositi se dogana nuk mund të kontrollojë çdo paketë në një dërgesë, por se është thelbësore të inspektohen pako të dyshimta në çdo dërgesë doganore.

“Në mënyrë që kjo të bëhet mirë, shkëmbimi i të dhënave është thelbësor. Drejtoritë doganore duhet të gjejnë mënyrën për të shkëmbyer të dhëna në mënyrë të sigurt dhe ta bëjnë këtë shpesh, në mënyrë që të mund të vlerësohet se cila dërgesë është e dyshimtë dhe të inspektohet tërësisht”, theksoi Mikuria.

Related posts

LLoga: Fronti që tmerron VMRO-në dhe satelitët e saj!

Gjyla Halili

Taravari reagon pas raportit të “Freedom House”: Të largojmë korrupsionin nga pushteti, t’ia hapim derën gjeneratës së re

Gjyla Halili

Mediave u vendoset shirit kufizues në Kuvend, gazetarët bojkotojnë raportimin e seancës

admin

Leave a Comment