Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) njofton se është duke u përgatitur draft versioni i parë i Ligjit të ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm.
“Nevoja për një zgjidhje të re ligjore në interes të sistemit arsimor dhe cilësisë së procesit arsimor në vend është më se e dukshme për shkak të domosdoshmërisë së vendosjes së më shumë filtrave shtesë për kontroll gjatë përgatitjes dhe miratimit të përmbajtjes së tekstet shkollore, por edhe gjetja e mënyrës për të nxitur konkurrencë më të madhe, pra sa më i madh të jetë numri i autorëve me të dorëshkrimet e tyre, si dhe recensues për miratimin e dorëshkrimeve për të aplikuar në shpalljet publike”, deklarojnë nga Ministria.
Me ligjin e ri, Ministria e Arsimit dhe Shërbimi Pedagogjik, si nismëtarë, synojnë të përmirësojnë cilësinë e përmbajtjes së teksteve shkollore, të ulin probabilitetin e gabimeve të natyrës së ndryshme në përmbajtje dhe në të njëjtën kohë të thjeshtojnë procesin e prokurimit dhe shpërndarjes së tyre.
Nga aty bëjnë të ditur se zgjidhja e re ligjore do të integrojë të gjitha propozimet konstruktive që kanë mbërritur në adresën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që nga muaji janar, kur opinioni u ftua për të dhënë komente dhe sugjerime për zgjidhjen ekzistuese ligjore.
Debati publik do të vazhdojë me përcjelljen e projekt-zgjidhjes ligjore në Qeveri, prej nga do të publikohet në sistemin ENER dhe më pas do të përcillet në Kuvend për diskutim dhe miratim përfundimtar.