Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e konsideron të papranueshme, sesi kryeministri Rama prej një muaji i është shmangur llogaridhënies mbi çështjen “McGonigal”.
Në fjalën e saj në seancën parlamentare, deputetja tha se u deshën të kalonin pesë vite, që shqiptarët të mësonin se ish agjenti i FBI-së McGonigal kishte udhëtuar drejt Shqipërisë në së paku 4 herë duke u takuar po kaq herë me kryeministrin e vendit.
Sipas saj, edhe akuzat drejtuar PD, ne fakt nga aktpadia qe po hetohet ne SHBA, rezulton se refreni i rublave ruse sot merr një tjetër kuptim. “Një kuptim që nis nga takimet e kryeministrit me ish drejtorin e FBI dhe përfundon në tendera dhe koncesione për rublat ruse”.
Ndaj dhe nënvizon deputetja, shqiptarët, kërkojnë sqarime në lidhje me të vërtetat që zbulohen në aktpadinë që ka ngritur SHBA dhe që përkojnë me vendimet e qeverisë dhe përfshirjen e kryeministrit në këtë aktpadi.
Akuza e parë është drejtuar ndaj ish zyrtarit të FBI sepse ai ka kryer biznes të padeklaruar, pra është korruptuar, nga oligarku rus Oleg Deripaska. Akuza e dytë është ajo e ngritur se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë amerikanë për çështje të lidhura me Shqipërinë qoftë këto politike, përfshirë dhe një hetim kundër Partisë Demokratike.
Aktpadia e ngritur nga Departamenti i Drejtësisë sqaron se ish drejtuesi i FBI ka ardhur në Shqipëri jo në një vizitë zyrtare, që nuk ka deklaruar se gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar dhe që ka dështuar të deklarojë që ka takuar kryeministrin e Shqipërisë.
Nëse një agjent FBI, vjen në Shqipëri ai në rastin më të pakët do të duhet të lajmëronte le të themi institucionet e SHBA në vendin tonë dhe nuk ka asnjë arsye të përdorte një mik të tijin që rastësisht i ka kërkuar dhe 225 mijë dollarë apo jo?
Si ka mundësi që një drejtues i lartë, një nga pesë më të lartët e FBI, vjen në Shqipëri dhe kryeministrit të vendit ia prezanton dhe ia sjell në selinë e kryeministrisë një person që në Shqipëri dhe në SHBA nuk ka asnjë funksion zyrtar?
Aktpadia zbardh ne fakt se takimi i Rames me McGonigal perben katër veprime në kundërshti me rregulloren e FBI.
Mes shtatorit 2017 dhe marsit 2018 ku në aktpadi janë faktuar katër takimet e kryeministrit Rama me McGonigal, vihet re një fakt shumë interesant; sa herë që kryeministri i vendit ka takuar McGonigal në zyrën e kryeministrisë, për darkë në Washington apo në New York po aq herë ka pasur një nismë të Charles McGonigal kundër Partisë Demokratike.
A mund të jetë rastësore e gjitha kjo? Pra, a mund të konsiderojmë rastësore që McGonigal në nëntorin 2017 lajmëron një agjent të Departamentit të Drejtësisë për një rast potencial kundër lobuesit të PD në SHBA?
Që takohen në 4 mars dhe në 8 mars del një shkrim në Mother Jones?
A mendoni që Drejtuesi i Kundërzbulimit të FBI në New York, të angazhojë FBI-në në një hetim ku burimi i informacionit të jetë zyra e kryeministrisë dhe zyrtarët e kryeministrisë angazhohen në tejçime mesazhesh, e-mailesh, provash në mënyrë rastësore?
Si ka mundësi që drejtuesi i lartë i FBI, nuk kryen asnjë takim me prokurorë, OPGJ, Drejtorinë e Pastrimit të Parave por investohet të nisë një hetim me burim zyrën e kryeministrit Rama?
Fakti, që organi kryesor i hetimit në SHBA nuk mori asnjë informacion nga organi i akuzës në vend por gjeti burimin e të dhënave për hetimin e ngritur në zyrat e kryeministrisë. Fakti që drejtuesi i këtij hetimi, Charles McGonigal, nuk i raportoi shefave të tij dhe FBI-së njohjet e mëhershme me kryeministrin, tregon qartazi se si një miqësi në formatin quid pro quo u materializua në sajimin e komplotit të rublave ruse.
Aq e fortë qe kjo miqësi saqë personat që e prezantuan McGonigal në zyrën e kryeministrit, personat që e sajdisën atë nga Tropoja në Tiranë dhe më larg, nuk mbetën pa gjë.
Të dhënat zyrtare nga Regjistri i Bizneseve në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), dëshmojnë se Charles McGonigal, pas largimit nga FBI, është regjistruar aksioner në një kompani private në Shqipëri, “Law Office and Investigation”.
Mund të duket si komplet e rastësishme por krijuesi i kësaj kompanie private është njëkohësisht dhe pronari i një kompanie shqiptare që mundi të fitojë në qershor 2018 një koncesion të dyshimtë për shfrytëzimin e fushave naftë-mbajtëse.
E fitoi këtë koncesion ndonëse kompania në fjalë është e lidhur me Gazpromin rus.
E fitoi këtë koncesion ndonëse kundërshtitë dhe apelimet ishin të shumta nga rivalët.
Kjo histori ka po aq rastësi sa ka çdo skandal tjetër i kësaj qeverie:
A është është rastësi edhe dhënia e koncesionit apo titullit investitor strategjik Oleg Deripaskës?
A janë rastësi koncesionet e debatueshme të naftës në qershor 2018..
Mund të besojmë se nuk ka asnjë lidhje mes hetimit të nisur të McGonigal kundër Partisë Demokratike që vinin fill pas takimeve të kryeministrit Rama me të.
Kjo çështje nuk mbyllet dot me retorikë politike, as me akuza boshe në ajër, kjo çështje mbyllet vetëm me një hetim të plotë! Kjo çështje mbyllet vetëm përpara drejtësisë.
Se nuk ka më turp për Shqipërinë sesa t’i nxihet faqja në të gjitha mediat ndërkombëtare e kudo, se është korrptuar një drejtues i lartë i FBI.
Nuk është paguar dhe as bindur nga qeveria për të luftuar krimin, as kartelet e drogës, as për të ndëshkuar të korruptuarit, as për të luftuar korrupsionin; por është korruptuar dhe sajdisur për të ngritur një kauzë kundër opozitës.
Ajo çfarë ne mund të mësojmë nga gjithë kjo histori është guximi për të hetuar të paprekshmit; për të hetuar ata që stisën një histori me rubla ruse dhe përfunduan duke i dhënë vetë rublave ruse koncesione.
Gjithsesi, sot do të ishim injorantë nëse FBI nuk do të kishte nisur një hetim kundrejt ish drejtorit të saj.
Fati i madh i shqiptarëve është se kjo çështje po hetohet në një vend që u krijua mbi bazat e institucioneve të pavarura dhe sundimit të ligjit.
Fati i madh i shqiptarëve është se investimi më serioz i shekullit të 21 në vendin tonë nga SHBA dhe BE është pikërisht Reforma në Drejtësi.
Prandaj, SPAK duhet të mësojë nga ky shembull i mirë. Nuk janë rastësi të gjitha këto prova dhe fakte të bëra publike”.
Nuk është rastësi që kryeministri i vendit sa herë që takohet me McGonigal, ky i fundit nis një veprim kundër Partisë Demokratike.
Nuk është rastësi që ortakët e McGonigal dhe klientët e tij kanë fituar tituj koncesionarësh dhe investitorësh strategjikë”.
Top Channel