AKTUALE

Seancë maratonike, deputetët diskutuan për ministrat e rinj deri në orën 2 pas mesnate

Edhe një tjetër vazhdim maratonik të seancës parlamentare për rindërtimin e Qeverisë kishin mbrëmë deputetët në Kuvend. Debati për zgjedhjen e ministrave të rinj, i cili ka nisur mbrëmë pas seancës për çështjet parlamentare, ka zgjatur thuajse deri në orën 02:00 pas mesnate, ndërsa kryetari Talat Xhaferi vazhdimin e seancës e ka caktuar për sot në mesditë.

Ministrat e rinj që do të zgjidhen janë: Krenar Lloga (Aleanca) – Ministër i Drejtësisë; Fatmir Mexhiti (Aleanca) – Ministër i Shëndetësisë; Azir Aliu (Aleanca) – Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës; dhe Kaja Shukova (LSDM) – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në fillim të debatit, kryeministri Dimitar Kovaçevski kërkoi besimin e deputetëve në mënyrë që, siç tha, të formohet një Qeveri më e qëndrueshme, më e suksesshme, më efikase dhe më e fokusuar.

“Për mua politika nuk është matematikë. Politika, nëse bazohet në vlera, në parime, në besim, në përgjegjësi, do të thotë shumë më tepër se një grup deputetësh dhe një grup e numër ministrash. Që në fillim thashë se nuk do t’i ndaj njerëzit në baza gjinore, etnike, fetare apo partiake! Për mua, ose një njeri është kompetent, punëtor, i ndershëm dhe i përgjegjshëm, ose nuk është. Duhet matur, vlerësuar dhe zgjedhur! Propozimi i sotëm është rindërtim, rikonfigurim i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut! Nuk është propozim partish, nuk është propozim etnish, nuk është propozim individësh. Është një propozim për të gjithë. Nuk flas dhe nuk do të flas për thyesat, për decimale, për balanca. Sepse në fund numërohen dhe maten rezultatet dhe sukseset. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha Kovaçevski.

Deputetët e opozitës VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, vlerësuan se ministrat e rinj nuk do të sjellin asgjë të re, ndërsa me partnerin e ri të koalicionit në Qeveri – Aleanca për Shqiptarët, thonë se mandati i kryeministrit Kovaçevski vetëm për shkurt kohë do të zgjatet.

“Me këtë rikonstruim, Dimitar Kovaçevski vetëm për një kohë e ka zgjatur mandatin e tij në kolltukun e kryeministrit dhe lejon të realizohen krimet që ka nisur qeveria shumë kohë më parë. Siç tha ministri paraprak i Drejtësisë Tupançevski, Kovaçevski ka bërë tregtimin e ministrive të drejtësisë, shëndetësisë, administratës, vendet zëvendësministrore për bujqësi dhe mbrojtje në Pazar 3, që u zhvillua në hapësirat e Ilindenskas”, tha deputetja Ane Lashkoska nga VMRO-DPMNE.

Para se të niste debati për zgjedhjen e ministrave të rinj, deputetët diskutuan për 10 ditë për shkarkimin e kuadrit të Alternativës, e cila vendosi të kalojë në opozitë. Dje rreth mesditës është mbajtur votimi për shkarkim, me të cilin ministrat paraprak të Shëndetësisë – Bekim Sali, për shoqëri informatike dhe administratë – Admirim Aliti dhe ministri pa resor i ngarkuar me diasporën – Xhemail Çupi u larguan nga postet ministrore.

Pas mesnatës ka zgjatur edhe vazhdimi i fundit i debatit për shkarkimin e tre ministrave.

Pasi të shterohet debati për propozimin për ministrat e rinj dhe të zgjidhen ata, deputetët do të duhet të vazhdojnë me debatin për shkarkimin e tre zëvendësministrave, dy prej të cilëve kuadro të Alternativës: Abdulshukur Abedini – për Bujqësi dhe Lulzim Aliu – për arsimin dhe shkencën. I treti është deputeti për mbrojtje – Bashkim Hasani, i cili është pjesë e “grupit të zjarrit” në BDI.

Si pikë e fundit e kësaj seance është emërimi i deputetëve që do të plotësojnë postet e tyre. Sipas propozimit, Agim Nuhiu, i cili para se të ishte zëvendës në Drejtësi, ishte edhe në MPB, sërish do të ulet në kolltuk funksionari, por si zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Propozimet e tjera për zëvendësministra janë: Tiron Jajaga (Aleanca) – zëvendësministre e Mbrojtjes; Vjollca Berisha (Aleanca) – zëvendësministre e Bujqësisë; Viktorija Avramovska-Mandiq (LSDM) – zëvendësministre e Drejtësisë; dhe Maja Manoleva (LSDM) – zëvendësministre e Shëndetësisë.

Kujtojmë se rikonstrumi i Qeverisë erdhi pas hyrjes së Alenacës për shqiptarët në pushtet. Pas këtij vendimi, nga Qeveria u largua Alternativa dhe Lidhja Demokratike.

Alternativa në Qeveri u fut dhjetorin e vitit 2021 me nënshkrimin e marrëveshjes me kryeministrin e asaj kohe, Zoran Zaev. Hyrja e kësaj partie në Qeveri erdhi pasi nuk u arrit numri për të krijuar shumicë të re parlamentare midis VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Lëvizjes Besa dhe partisë E Majta.

Partia Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht u deklarua më 9 shkurt se do të jetë pjesë e Qeverisë. Hyrja e ASH-së në Qeveri e ngushtoi vendin për Alternativën, BDI-në dhe mandataren LSDM, të cilat duhet t’i lirojnë disa pozita.

Related posts

LETËR E BABËS DJALIT NË GYRBET

admin

ASH: Kujt dhe pse i pengon drejtori Halit Ferati?

Gjyla Halili

ZGJEDHJET / Matematikat e partisë, nuk po përputhen me hesapet e Çarshisë

Gjyla Halili

Leave a Comment