Skena politike në vend është përfshirë nga tensione dhe përplasje të ashpra gjatë javëve të fundit. Opozita ka kërkuar me protestë ngritjen e disa komisioneve hetimore, veçanërisht për çështjen McGonigal, por kërkesat e tyre janë refuzuar nga mazhoranca.
Pas zhurmës së krijuar në disa seanca parlamentare radhazi, disa deputetë të opozitës u përjashtuan mes të cilëve edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Sonte, gjatë debatit në “Top Story”, juristi Kreshnik Spahiu theksoi se opozita ka disa të drejta, që mazhoranca po ia mohon.
Spahiu kritikon Partinë Socialiste se është jashtë realitetin, duke u shprehur me ironi se “ata jetojnë në planetin Mars”.
“Ku ka të drejtë opozita dhe ku nuk ka. Unë mendoj që opozita ka të drejtë për ngritjen e një komisioni. Është e padurueshme arroganca e pushtetit në Shqipëri.
Ata kanë arritur jetojnë në mars, nuk jetojnë më këtu. Realisht janë bërë të padurueshëm me mënyrën si artikulohen, si duan të fyejnë inteligjencën profesionale. Ligji për ngritjen e komisioneve nuk është pezulluar në Shqipëri, por për çështje që Gjykata Kushtetuese thotë të përmirësohet ligji, ato çështje nuk duhet të merren në konsideratë pa u përmirësuar ligji për komisionet. Por kjo nuk do të thotë që nuk ngrihen komisione për çështje të tjera. Për çështje që Gjykata Kushtetuese thotë do të merren në konsideratë pasi të përmirësohen standardet për komisionin hetimor, ato s’mund të merren pa u rishikuar ligji”.
Vendimi për të përjashtuar deputetët e opozitës, është kurth i mazhorancës, sipas juristit:
“E dyta, përjashtimet janë një kurth i socialistëve për të provokuar demokratët që të dalin në rrugë. A e hanë kurthin këta apo jo, ky është problem tjetër. Por, është i papranueshëm përjashtimi i 20 deputetëve që dalin me policë, nuk i lënë të hyjnë në Kuvend”.
Edhe në seancën e sotme parlamentare, deputetët e opozitës bllokuan Foltoren. Beteja kundër McGonigal ka arritur të bëjë bashkë demokratët.
Ata këmbëngulën për ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që kryefjalë të ishte skandali McGonigal, por socialistët përdoren forcën e kartonëve për të refuzuar.
“Lidhur me mocionin me debat, është vendosur data 2. Më duket qesharake që ju të mos pranoni datën 2 por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni. Jam i sigurt që pas datës 3 s’do jeni më kështu. E rëndësishme është që problemet e brendshme mos i sillni këtu”, tha Taulant Balla.
Fjalët e Taulant Ballës mbërritën edhe në veshin e Sali Berishës, i cili mundonte të mbante lart frymën e protestës jashtë sallës. Me tone kërcënuese kryedemokrati paralajmëroi skenarin e 3 Marsit nëse ai humbet gjyqin e vulës.
Në bastin e tij të 3 marsit Sali Berisha ka në krah aleatin e betejave të vjetra, Ilir Metën.
Top Channel