Gjatë ditës së djeshme janë prodhuar gjithsej 15.554 megavat orë energji elektrike, nga të cilat 11.798 nga termocentralet, ndërsa 3.756 nga burimet e rinovueshme të energjisë. Ky prodhim është për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, si dhe për furnizime shtesë për shkollat, industrinë ushqimore dhe subjektet vitale shtetërore, njoftoi sot Viktor Andonov bashkëpunëtor për energji në zyrën e kryetarit të Qeverisë.
Ai përkujtoi se dje EMV Shitje shpalli tender për gaz natyror për muajin mars. Të gjitha kompanitë vendase dhe të huaja të licencuara dhe të regjistruara mund të aplikojnë për thirrjen, e cila do të zgjasë deri më 24 shkurt.
“Ftoj të gjitha kompanitë e interesuara që mund të ofrojnë sasitë e nevojshme të regjistrohen në thirrjen gjatë dy ditëve në vijim. Është në interes të qytetarëve që të ketë më shumë oferta për të zgjedhur kushtet më të favorshme”, tha Andonov në një konferencë për media në Qeveri.
Këshilltari apeloi që të gjithë ata që plotësojnë kushtet e thirrjes publike për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike të kategorive më të rrezikuara të qytetarëve të aplikojnë dhe të realizojnë të drejtat e tyre.
“Qeveria ka dhënë gati 1 milion euro për këtë qëllim. Subvencionimi varion nga 600 deri në 800 denarë në llogari në varësi të kategorisë së cilës i takojnë”, tha Andonov.