OPINIONE

BASHKËJETESA SI IMPERATIV

Ferhat Dinosha

Zgjedhjet e 5 marsit për Komunën e Tuzit po afrohen. Është e pritshme se fushata do të ashpërsohet, por do të ishte mirë që ajo të mos dilte nga binarët e një gare të durueshme politike dhe të mos prekte në vlerat e shoqërisë heterogjene të Malësisë, të cilat janë ruajtur dhe kultivuar me shekuj.

Një ndër vlerat e posaçme të shqiptarëve, pra edhe të malësorëve, është dhe duhet të mbetet harmonia ndërfetare, e cila jeton dhe lidhë fuqishëm edhe indin kombëtar të tyre.

Ta zëmë, rilindasit tanë myslimanë, ortodoksë e katolikë, kanë vepruar bashkë për lirinë e atdheut, duke u ndier vëllezër të një gjuhe e të një gjaku, pa pyetur kush i cilës fe është.

Edhe patriotët katolikë e myslimanë në Malësi kanë vepruar së bashku dhe malësorët kanë pasur bashkëjetesë të mirë. Por, gjithmonë kemi pasur edhe individë a grupe, që kanë tentuar të lëndojnë harmoninë tonë ndërfetare, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm vazhdimisht.

Informacionet e Forumit Shqiptar nga terreni flasin se edhe gjatë këtyre ditëve të fushatës, në rradhët e koalicionit “Rrugës së drejtë” , në krye me Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS), ka filluar të përhapet parulla e dëmshme që do të kishte për qëllim ndasinë ndërfetare në Malësi. Vështirë ta besosh, por në radhët e koalicionit të DPS-së kanë filluar t’u thonë votuesëve : ” Kush voton për Forumin Shqiptar, voton për katolikë. Nuk guxojmë t’ua lëmë Tuzin katolikëve !”

Nëse është kështu, është e tmerrshme dhe e palejueshme. Kjo do të thotë se dikush, për qëllime politike, është i gatshëm të propagojë mosdurim e urrejtje fetare, madje brenda një kombi. Kjo është jo vetëm jonjerëzore e antikombëtare , por edhe antifetare. Sepse, besimtari cilëndo fe që të ketë, nuk urren pjesëtarin e fesë tjetër. Ose nuk është besimtar.

Veç kësaj , kjo është rrenë. Sepse, Forumi Shqiptar në radhët e veta ka dhe do të ketë edhe katolikë edhe myslimanë. Edhe struktura e administratës komunale është dhe do të jetë shumëfetare e shumënacionale.

Sipas kësaj teze të çuditshme po na del se myslimanët janë mbledhur në DPS , e nuk gjenden ku tjetër , kurse katolikët në FSH , e jo edhe tjetërkund. Kjo ofendon jo vetëm myslimanët e Forumit Shqiptar, por edhe katolikët e DPS.

Nuk janë myslimanët e DPS më myslimanë se ata të Forumit Shqiptar, ashtu si nuk janë as katolikët e Forumit Shqiptar më katolikë se ata të DPS. Myslimanët dhe katolikët e DPS mund të jenë vetëm me më pak ndjenja kombëtare se ata të Forumit Shqiptar, por kjo nuk iu jepë të drejtë që të mos respektojnë ndjenjën kombëtare dhe angazhimin e tyre për të ruajtur identitetin kombëtar , secili në fenë e vetë.

Në esencë, kjo tezë e rrezikshme, angazhohet për ndarje të Malësisë në dy blloqe : në bllokun katolik dhe në tjetrin mysliman. Madje, jo vetëm që propagon ndarjen , por të keqen e lidhë me katolikë , kurse të mirën me myslimanë, duke kaluar, kështu, jo vetëm në fanatizëm por edhe nacizëm.

Natyrisht se Forumi Shqiptar do të luftojë me vendosmëri tendencat e këtilla, të kujtëdo qofshin ato. Nuk do të lejojmë që mendje të sëmura dhe zemra të liga të helmojnë bashkëjetesën e vëllezërve shqiptarë të dy feve në Malësi.

Sepse, Forumi Shqiptar mendon se pa harmoni fetare e bashkëjetesë të shlirë të qytetarëve të saj, Malësisë nuk do t’i bënte mirë as zhvillimi ekonomik . Për këtë arsye , Forumi Shqiptar, në krye me z.Nikë Gjeloshaj, edhe në mandatin e ardhshëm do të kujdeset si për zhvillimin ekonomik , ashtu edhe për bashkimin ndërfetar të malësorëve.

Nuk është e rastit motoja jonë BASHKIM E ZHVILLIM . Sepse, ky është imperativi ynë.

Related posts

Beteja për Shkupin mes Washingtonit dhe Kremlinit!

Gjyla Halili

PA ALI AHMETIN NË QEVERI, NUK KA STABILITET NË MAQEDONI TË VERIUT

Gjyla Halili

Srebrenica kujtesë për historinë tonë kombëtare!

Gjyla Halili

Leave a Comment