AKTUALE

Kulla e famshme e Martin Frangut, i Vllaznisë Junçaj, të Hotit

Përgatiti: Prof. Gjon Frani Ivezaj

Hoti ka qenë gjithmonë krenaria e Malësisë. I pari ndër të parë, në Kuvende, në luftë për atdhe e liri, në virtyte e tradita.

I pari i Hotit, Keq Preka thuhet se u vendos në katundin më të vjetër, në Lugun e Stares, i detyruar nga konfliktet me sllavë.

Rrënjët e këtij fisi janë të thella në histori, por zhvendosja, shkatërrimet nga armiqtë tanë shekullorë, rrënimi i kohës, e mungesa e burimeve të shkruara e regjistrimeve zyrtare e lënë deridiku në hije këtë histori. Megjithatë disa gjetje janë shënuar. Aty ku mendohet se kanë qenë themelet e të parëve të Hotit.

Edhe sot gjenden të skalitura në shekuj, në muret e vjetra të shtëpisë, Ylli i Davidit, Kryqi i Krishtit dhe shumë figura emblematike të tjera, simbole që dëshmojnë rrënjët e thella në histori dhe prejardhjen nga kohët më të lashta.

Si pak kush është shquar në shekuj, në Hot, Kulla e Martin Frangut i Vllaznisë Junçaj. Mendohet se nga kjo është dera ose oxhaku më i vjetër i fiseve të Hotit.

Breznitë vijojnë në këtë mënyrë, sipas gojdhanave të kaluara me besnikëri e krenari nga brezi në brez: Preka, Kola, Toma, Nika, Shaba, Gjeka, Martini, Frangu, Martini, Nika, Pepa, Çeka, Junçi, Gega, Lazri, Keqi, Preka

Prej kësaj kulle kanë dalë djem e trima aganë, luftëtarë e trima, që i ka njoftë Malësori e Malësia por edhe trojet shqiptare. Do t’i përshkruajmë këtu disa prej tyre, bëmat dhe historitë që kanë lënë pas.

Trimi Martin Frangu i Vllaznisë Junçaj – kishte katër djem: Luka, Vata, Smajli dhe Gjeka. Katër djem sokola, luftëtarë e trima, si zana që luftonin për liri e për ekzistencën e trojeve shqiptare kundër ushtrisë osmane dhe serbomalazeze e çdo pushtuesi që do të guxonte të ngjitej atyre brigjeve.

Vojvodë e Hotit, monument i qëndresës e virtyteve mbarëshqiptare

Po ashtu, vëllai i Martin Frangut ishte trimi i mirënjohur në trevat shqiptare – Vuk Frangaj luftëtar i mirënjohur në Malësi.

Shumë burra e trima malësorë mund të jenë harruar tashmë, por për disa gojëdhanat dhe legjendat janë përcjellë me sukses nga brezi në brez deri në ditët tona. Shumë bëma historike kanë frymëzuar brezat me plot malësorë të rinj që kanë dashur t’u ngjajnë trimave të historive.

Për disa të tjerë gjenden histori të shkruara nga personazhe të kohës. Thellë në histori, shekuj më parë, kur mungonte fjala e shkruar, disa murgjër kanë qenë i vetmi burim që mund të përdoret në studimet shkencore.

Jemi me fat që në këtë rast, kemi në duart tona veprën e vyer të At Zef Pllumit, “Histori kurrë e shkrueme:.

Një nga kapitujt e lirbit është, “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës”, i përbërë nga kujtime personale të murgut françeskan, At Erasmo Balneo (1756-1788).

Ai ka jetuar në fshatrat e Malësisë, në gjysmën e dytë të shekullit të 18 duke na ruajtur nga ajo kohë kronika të çmuara që plotësojnë historinë. Është nga këto faqe që rizbulojmë Martin Frangun e Vuk Frangun.

At Erasmo Balneoja na jep një ide se si përgatiteshin murgjit në Vatikan përpara se të vendoseshin në terrenin e vështirë të Malësisë shqiptare e të Mirditës, zona të rralla ku pavarësisht prej pushtimit turk të pjesës më të madhe të Ballkanit, kishte zona të lira, ku shqiptarët praktikonin pa frikë fenë e tyre katolike, ku jetonin të pavarur e autonomë, ku këmba e turkut nuk guxonte të shkelte e sulltani bënte marrëveshje të detyruara duke ua njohur sovranitetin prijësve lokalë.

Murgjve të rinj françeskanë u mësohej gjuha shqipe si dhe mjekësi. Murgj e njerëz që kishin jetuar dikur në malet shqiptare u tregonin nga jeta e tyre për t’i përgatitur për detyrën e vështirë.

Pasi qendroi në disa zona të ndryshme shqiptare, At Balneo u vendos në Hot, në një vendbanim që njihej si “Brigje”. Pak më vonë shkruan ai ndodhej Kushja, që ishte katundi i Bajraktarit.

Shpejt është njohur me zakonet dhe ligjin e vendit, me të famshmin Kanun të Maleve apo të Lekës. “Një ligj i pashkruar, por i rrënjosur në çdo zemër shqiptari”, shkruan ai.

Ndër këshillat që i jep Patër Prefekti është edhe: “Mos gabo me vu në gojë nderin, e trimërinë e shqiptarit, sepse këtu nuk të falin”. Për njerëzit aty i ka thënë “si t’i nderojsh, kanë me të nderue”.

At Erasmo Balneo habitet me kushtet tmerrshme të varfërisë, me shtëpi “me të vërtetë françeskane” thotë ai për urdhërin e tij të besimit, që sheh te virtytin të lidhur me varfërinë.

Bujaria e mikpritja e malësorit është shenja e parë e jetës që pa në ato brigje. Çdo familje solli diçka për fqinjin e ri. Që të gjithë e ftuan në shtëpitë e tyre për të bujtur. “Për mua kjo popull i dashtun”, shkruan ai në shënimet e tij.

Mes të gjithë atyre që shkruan për t’ia uruar mirëseardhjen i kishte lënë mbresa një burrë i madh e i pashëm. Ai i foli për rreziqet e udhëtimit të largët, pa mbrojtje. “Jemi nën turkun, që është edhe më i egër dhe i pabesë, prandaj të këshilloj që kur të duash të udhëtosh për punët e tua, mos shko vetëm kurrë. Jam gati të të përcjell kudo ku dëshiron”.

Në një rast tjetër, prifti françeskan vë re se Mehmet aga po kuvendon me Vukë Frangun, si dy të barabartë. Dhe e shpjegon, “Vuka, megjithëse pashkollë, kishte zgjuetësinë e karakterin e malësorit shqiptar: shumë i matun, i urtë, syxixë”.

Çfarë dëshmie historike që plotëson figurën e jashtëzakonshme të këtij trimi të Malësisë!

Kjo histori është e mbushur me shembuj të bashkëpunimit ndërfetar mes myslimanëve dhe katolikë shqiptarë. Në një rast, Mehmet begu i lutet fratit që ta lejojë të marrë si ndihmës të tij Vukë Frangun. Megjithëse Bushatlliu i fuqishëm ka shumë ushtarë ai është mrekulluar nga forca dhe karakteri i malësorit nga Hoti.

Frati i thotë se duhet të bisedojë drejtpërdrejt me Vukën si ai është njeri i lirë. Bushatlliu madje mund të marrë të gjithë malësorët e Hotit me vete nëse pranojnë por At Erasmo Balneo ia vë një kusht gjithësesi. Të mos t’i shtrëngojë të ndërrojnë fenë. Ata janë njerëz të varfër por krenarë dhe vetëm shpirtin kanë, i thotë i.

Description automatically generated

Atëhere Mehmet beg Bushatlliu i Shkodrës betohet në sy të Vukë Frangut, betohet në emët të Allahut e të Krishtit, se do t’ia sigurojë lirinë e të gjithë të krishterëve për punë e fesë që të jenë të barabartë me myslimanët.

Këto biseda me fratin dhe Vukë Frangun ia hapën sytë Bushatlliut të Shkodrës që si thotë kronikani i botuar nga At Zef Pllumi, e tha një fjalë historike, “fati i Shkodrës është në duart e Maleve”, duke njohur e pranuar rolin historik të malësorëve për lirinë e trojeve shqiptare.

Vukë Frangu, me modestinë e tij, me thjeshtësinë e karakterit, kishte hapur dyert për një bashkëpunim nga qyteti në fshat e mal, mes shqiptarëve të të gjitha feve e krahinave.

At Erasmo Balneo, nga Italia, e thotë hapur në kujtimet e tij, “Kur u ndava me Vukën, kjava si fëmijë, ai më kje gjithmonë si vlla i mirë”!

Për ata që nuk e dinë, Mehmet aga që përmendet në këto shënime është Mehmet Pashë Bushatlliu, themelues i dinastisë së Bushatllijve të Shkodrës, një nga përpjekjet e para të vetëvendosjes shqiptare. Kjo dinasti qeverisi Shkodrën e pastaj mbarë krahinat për 75 vjet me radhë.

Vukë Frangu luajti rol kyç me trimërinë e tij duke zmbrapsur me sukses pushtuesin turk, deri sa ra dëshmor në Rozafatin e Shkodrës.

Me rënien e pashallëqeve të mëdha shqiptare mbarojnë ëndrrat për autonomi dhe gjysëmsovraniteti nën perandorinë otomane, fillojnë grabitja e trojeve shqiptare dhe hapet rruga e Rilindjes Kombëtare.

Nga kronikat e murgut italian te vargjet e Fishtës së madh

Trimat nga dera e Martin Frangut, nga Hoti, e nga Malësia janë kudo në çdo fazë të historisë së Shqipërisë, megjithëse jo për të gjithë kanë mbetur shënime kaq të hollësishme si këto për Vukë Frangun.

Një tjetër trim mbi trimat që e gjejmë në faqe të shkruara e jo vetëm në gojdhana, nga kjo derë është Col Smajli, i nipi i Martrin Frangut. Për këtë burrë ka shkruar edhe At Gjergj Frishta. Poeti kombëtar ka vlerësuar lart nderin, trimërinjë dhe heroizmin e pashoq të Col Smajlit. Kushdo mund t’i lexojë sot vargjet nga vepra e tij madhore, “Lahuta e Malësisë” (faqe 163) ku përjetësohet figura e Col Smajlit.

Ai është nip prej fisit të vjetër të Pelajve të Kastratit të Moçëm dhe u rrit i frymëzuar nga historitë e tyre. Luftoi pa iu trembur syri dhe dha jetën në Ura e Rzhanices.

U mblodhën trimat që e njihnin e ia dinin trimëritë për të shkuar te nëna e tij e për t’i thënë se djali i saj ishte vrarë duke u përleshur trimërisht me shpata e me tagana kundër ushtrisë malazeze në 1880, bashkë me malësorë të tjerë për trojet shqiptare në Malësi.

Nëna e Colit, kjo nënë fisnike e bujare u foli trimave malësorë: “O vllaznit e mi, kjoftë për hajër gjaku i derdhun i djalit tim. Kjoft gjak për liri e për flamur. Vllaznit e mi, nuk po më dhimet djali se dha jetën për trojet e të parëve, për nanën Shqipëri. Por po më dhimet trupi i tijna se kanë me e marrë shkijet e kanë me e copëtue e kanë me e humb e me e tretë”.

Atëhere, trimat e Hotit brofën në këmbë dhe britën: “O nanë kreshnike! Po ta napim Besën e Zotit, nuk do t’i lejojmë shkijet e Malit të Zi me e copëtue trupin e Colit”.

Me të dëgjuar këto fjalë, nëna fisnike u ngrit dhe me duart drejt qiellit tha: “Gjaku i djalit tim qoftë gjaku i lirisë, i flamurit dhe i bashkimit të trojeve shqiptare!”

U lëshuan pra shqiptarët e nuk u ndalën për ta çuar deri në fund amanitin që i dhanë nanës së Colit.

Në jetë të jetëve do të mbëhet mend emri i tij nga vargjet e pavdekshme të At Gjergj Fishtës:

Pra mos kjáj, moj nâna e Colit,

Pse t’ mbet djali, aj farë sokolit,

Pse t’ mbet djali tue luftue!

Aj n’ pûnë t’ ligë nuk t’ pat qillue,

Por qilloi me trima rrfé

Tue luftue per Atme e Fé:

Nuk ká dekun por ká lé!

Jo se, pak pa dhânun jeten,

Coli mirë na pagoi veten:

Vrau dy shkjé, dy djelm si Zâna,

T’ veshë e t’ mbathë si kapidâna:

Njâni Krista e tjetri Rista.

Trima që dhanë jetën për shpëtimin e shokëve dhe lirinë e atdheut

Prej kësaj dere lindi trimi i Hotit Gjon Nik Shabi Frangu me të vëllainë Prek Nik Shab Frangu.

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, Gjon Nik Shabi me vëllain e tij u bashkuan me shumë trima të Hotit dhe luftuan me trimëri për të mbrojtur trojet shqiptare nga gjakpirësit shekullorë serbomalazezë afër Podgorices.

Ai luftoi si luan për trojet tona, duke u shquar mes hotjanëve dhe malësorëve të tjerë. Shumë prej tyre dhanë jetën në fushën e nderit.

Ishte një luftë e pabarabartë. Luftuan deri në fishekun e fundit, por në mbi 40 trima përfshi edhe Gjon Nik Shabin me të vëllain, Prek Nik Shabin u morën si robër lufte e u dërguan nga ushtria e krajlit të Malit të Zi në burgjet e thella malazeze. Aty vuajtën në tortura nga më çnjerëzoret.

Një mëngjez, trimi Gjon Nik Shabi u bëri një lutjke 40 malësorëve dhe vëllait të tij: “Vllaznit e mi, ju po e shihni me sytë tuaj vuejtjet dhe torturat që po bajnë me ne tue na rrah me shkop, tue na torturue, tue na djeg me gjarme”.

Malazezët nuk njihnin as ligj ndërkombëtar të trajtimit të robërve e as virtyt njerëzor.

Trim inga Hoti u thotë shokëve të tij se kjo situatë nuk mund të vazhdonte. E vetmja rrugë mbetej thyerja e burgut. Një përpjekje e fundit për dinjitet dhe liri. Për jetë a vdekje.

Trimat e pranuan të gjithë propozimin.

Ishte një natë e ftohtë dhe binte shumë shi. Malësorët me guxim thyen rrethimin dhe vërshuan drejt lirisë. Mirëpo, malazezët dërguan përforcime. Plani mund të dështonte. Atëhere, Gjon Nik Shabi me disa shokë vendosën të qendrojnë në fund, për të penguar rojet të ndalonin shpëtimin e shokëve. Vëllai i tij, Prek Nik Shabi arrin të shpëtojë, ashtu si shumë të tjerë, por në fund Gjoni nuk arrin të dalë. Ai u flijua bashkë me disa shokë që të shpëtonin të gjithë të tjerët.

Malazezët e tërbuar nga ikja e shqiptarëve drejt lirisë, nuk kursyen dhunën më mizore mbi Gjon Nik Shabin dhe trimat që ishin bërë bllok për të mundësuar shpëtimin e shokëve.

Torturat që vijuan mbi ta ua morën jetën.

Gjon Nik Shabi flijoi jetën e tij për kombësi e trojet shqiptare. Ai u dha mundësi shokëve që të vazhdojnë rrugën e luftës për liri.

Kreshnikë të vërtetë, simbol trimërie e virtytesh të larta

Prej kësaj dere pra kanë dalë sa e sa burra që i njohu e i nderoi Malësia, Shkodra, e mbarë Shqipëria.

Disa luftëtarë e prijës të shquar nga kjo derë përshkruhen si vijon. Për shkak të kohës dhe hapësirës por edhe për mungesë burimeve të dëmtuara nga armiqtë tanë shekulloë, përshkrimet janë më të shkurtra, por roli i tyre në historinë e Malësisë dhe kombit shqiptar është shumë i madh.

Një prej tyre ishte trimi i maleve Mark Gjek Martin Frangu, luftëtar i mirënjohur në Malësinë e Madhe. Ai luftoi heroikisht kundër ushtrisë osmane-turke në Kalanë e Shkodrës. Aty ra dëshmor e gjaku i tij vaditi me shpirt lirie Rozafatin e famshëm të Shkodrës. Gëzoi respektin e bashkëluftëtarëve të tij e emri nuk do t’i harrohet.

Një trim i kësaj dere ishte edhe Mark Dosh Frangu. Ishte një patriot i flaktë pëtr çështje kombëtare. Shumë shpejt dalloi rrezikun që i sillte kombit dhe kulturës shqiptare ideologjia komuniste.

I bëri qëndresë diktaturës së Enver Hoxhës duke u shquar si një nga antikomunistët më të vendosur. Përballë rrezikut historik që po vinte ai rroku armët dhe luftoi komunistët në Luftën e Postribës.

Për qendrimet e tij, për virtytet e larta, Mak Dosh Frangun e donte dhe e nderonte Hoti dhe e gjithë Malësia.

Ai ishte një burrë i mençur, i urtë, trim e besnik. Për këto virtyte e për autoritetin e përvojën e tij, Mark Dosh Frangu ishte Kryeplaku i Vllazërisë dhe i Hotit. Nga kjo pozitë, ai ka pajtuar gjaqet e u ka dhënë fund hakmarrjeve mes malësorëve, ka mbyllur konflikte për tokë, për bagëti, e të natyrave të tjera. Për fjalën e tij të urtë e nderonin dhe e kërkonte e mbarë Malësia.

Regjimi komunist i Enver Hoxhës nuk mund të pranonte një figurë të tillë me autoritet që mbronte virtytet historike të malësorit. Në kushtet e diktaturës së re, u detyrua të kalojë kufirin për t’u vendosur në Malësinë e Madhe që shtrihet në Malin e Zi.

Edhe aty e pritën me nderim e gëzonte respekt nga malësorët kudo që jetonin.

Një tjetër emër që ka dalë nga kjo derë ka qenë Tom Nika, vëllai i Gjon Nikës. Një burrë i mirënjohur në Hot e në Malësi.

Austro-Hungaria e njohu si Kryeplakun e vendit, për shkak të veprimtarisë së tij të shquar anti-sllave, dhe qëndresën e vendosur kundër serbo-malazezëve. Ai ishte një patriot i pashoq, që nuk pranonte asnjë kompromis me integritetin e trojeve shqiptare.

Në katër anët e botës

Si këta ka pasur edhe shumë të tjerë. Burra të fjalës, të besës e të bujarisë. Trima në fushën e betejës e njerëz të traditës e të respektuar në katund e në mbarë Malësinë.

Koha ka kaluar dhe ka lënë plagët e saj, disa prej syresh të pashërueshme. Aty kur dikur vlonte jeta tani ka heshtje dhe zbrazëti. Njerëzit kanë emigruar në masë, nga një epokë në tjetrën. Së fundi, për arsye të krizave ekonomike dhe mungesës së mjeteve të jetesës.

Shumë prej pasardhësve emirguan në shtetet e Europës, si në Itali, Angli e vende të thera. Shumë të tjerë gjenden në Shtetet e Bashkuara ku jetojnë familje e kushërinj të mirënjohur, që ruajnë virtytet e larta të malësorit për nderin, fisnikërinë e burrërinë. Fëmijët i kanë shkolluar në fakultete e universitete më të mira amerikane, por i kanë edukuar edhe me traditat dhe virtytet e malësorit dhe shqiptarit.

Dera e Martin Frangut vazhdon të nxjerrë histori suksesi që do të nderonin çdo shoqëri e çdo komb. Tani të shpërndarë nëpër botë, legjendat e historitë shekullore jetojnë bashkë me ta.

Related posts

BDI: VMRO DPMNE të përkulet para Kullës Përkujtimore në Sllupçan

admin

Stoltenberg: Maqedonia e Veriut gëzon mbrojtjen e plotë të Aleancës së NATO-s

admin

Geer vazhdon debatin me Mickoskin: Është e qartë çfarë duhet të bëhet me Këshillin Gjyqësor, i kemi rekomandimet

Gjyla Halili

Leave a Comment