REISUL-ULEMA HFZ. H. SHAQIR EF. FETAHU, SË BASHKU ME KABINETIN E TIJ, QËNDROI PËR NGUSHËLLIME TE MUFTIU I MUFTINISË SË VELESIT, NIJAZI EF. MURATI
19 tetor 2026.
Reisul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Hfz. H. Shaqir ef. Fetahu, i shoqëruar nga Kabineti i tij, qëndroi për vizitë ngushëllimi në Buzalakov, te Muftiu i Muftinisë së Velesit, Nejazi ef. Murati, me rastin e kalimit në amshim të babait të tij.
Me këtë rast, Reisul-Ulema, në emër të Bashkësisë Fetare Islame, institucioneve të saj dhe në emrin e tij personal, i shprehu ngushëllimet më të sinqerta Muftiut Nejazi ef. Murati dhe familjes së tij, duke iu lutur Allahut xh.sh. që të ndjerin ta përfshijë në mëshirën e Tij të pakufishme, ta shpërblejë me Xhenetul Firdeus, ndërsa familjarëve t’u dhurojë sabër, forcë dhe qëndresë në përballimin e kësaj humbjeje.
Gjatë kësaj vizite, Reisul-Ulema theksoi se babai në Islam zë një pozitë të lartë dhe të pazëvendësueshme, si shtyllë e familjes, burim i edukimit, shembull i përgjegjësisë dhe bartës i vlerave morale e shpirtërore.
“Babai është një nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet familja dhe një nga bekimet më të mëdha që Allahu ia dhuron njeriut. Humbja e babait është humbja e një mbështetjeje të çmuar, e një këshilltari të sinqertë dhe e një zemre që lutet për të mirën e fëmijëve të vet. Prandaj, respekti dhe mirënjohja ndaj prindërve nuk përfundojnë me largimin e tyre nga kjo botë, por vazhdojnë përmes lutjeve, veprave të mira dhe ruajtjes së vlerave që ata na kanë lënë amanet”, u shpreh Reisul-Ulema.
Nga ana tjetër, Muftiu i Muftinisë së Velesit, Nejazi ef. Murati, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij të thellë ndaj Reisul-Ulemasë dhe anëtarëve të Kabinetit për vizitën, kujdesin dhe respektin e treguar në këto çaste të vështira për familjen.
Në fund, ai iu lut Allahut xh.sh. që Reisul-Ulemanë dhe të gjithë anëtarët e delegacionit t’i shpërblejë me sevape për çdo hap të bërë në këtë vizitë ngushëllimi dhe respekti, duke e vlerësuar praninë e tyre si shprehje të lartë të vëllazërisë islame dhe të solidaritetit njerëzor.
Allahu xh.sh. e mëshiroftë të ndjerin, ia ndriçoftë varrin dhe e gradoftë në Xhenetul Firdeus! Amin!


