Të gjithë jemi të vetëdijshëm se një luftë e gjithanshme bërthamore SHBA-Rusi do të ishte e keqe. Por sa e keqe, saktësisht? Cilat janë shanset për t’iu mbijetuar shpërthimeve bërthamore, rrezatimit dhe dimrit bërthamor sipas vendeve ku jetoni?
Shpërthimi i pashembullt bërthamor i vitit të kaluar dhe kaosi i fundjavës së shkuar në Rusi na nxisin t’i rikthehemi herë pas here këtyre pyetjeve. Për t’i dhënë përgjigje, The Times ka mbledhur një grup të mrekullueshëm shkencëtarësh ndërdisiplinor për të prodhuar simulimin më realist shkencërisht të një lufte bërthamore, duke përdorur vetëm të dhëna të paklasifikuara dhe vizualizuar gjetjet përmes xhirimit të pamjeve filmike.
Projekti bën një kombinim të detajuar të zonave që ka më shumë shanse të jenë nën shënjestrën e një sulmi bërthamor, trajektoret e raketave, shpërthimet dhe pulsin elektromagnetik, dhe se si tymi i zi i karbonit prodhohet, ngrihet dhe përhapet në të gjithë globin, duke ndryshuar klimën dhe duke shkaktuar urinë masive.
Sikurse mund të shihni nga video-ilustrimi, nuk ka shumë rëndësi se kush e fillon luftën: kur njëra palë lëshon raketa bërthamore, pala tjetër i zbulon ato dhe qëllon përsëri përpara impaktit të goditjes. Raketat balistike nga nëndetëset amerikane në perëndim të Norvegjisë fillojnë të godasin Rusinë pas rreth 10 minutash, dhe ato ruse nga veriu i Kanadasë fillojnë të godasin SHBA-në. E para godet elektronikën dhe rrjetet e energjisë elektrike duke krijuar një puls elektromagnetik prej dhjetëra mijëra volt për metër. Sulmet e radhës synojnë qendrat e komandës dhe kontrollit dhe objektet e lëshimit bërthamor. Raketave balistike ndërkontinentale me bazë tokësore u duhen rreth gjysmë ore për të fluturuar nga lëshimi në objektiv.
Shanset më të larta për të qenë në shënjestër të një sulmi bërthamor gjatë luftës janë qytetet e mëdha për shkak se ato përmbajnë objekte ushtarake, si dhe për të penguar rimëkëmbjen e armikut pas luftës. Çdo goditje krijon një top zjarri po aq të nxehtë sa bërthama e diellit, e ndjekur nga një re kërpudha radioaktive. Këto shpërthime intensive avullojnë njerëzit aty pranë dhe shkaktojnë zjarre dhe verbëri tek njerëzit që i shohin nga larg. Zgjerimi i topit të zjarrit shkakton më pas një valë shpërthimi që dëmton ndërtesat, duke shtypur ato pranë.
Britania e Madhe dhe Franca kanë kapacitete bërthamore dhe janë të detyruara nga Neni 5 i NATO-s të mbrojnë SHBA-në, kështu që Rusia i godet edhe ata. Stuhitë e zjarrit të ndihmuara edhe nga erërat e shumta përpijnë shumë qytete nga flakët, duke djegur gjithçka që mund të ndizet, shkrijnë qelqin dhe disa metale, si dhe e kthejnë asfaltin në lëng të nxehtë të ndezshëm.
Fatkeqësisht, hulumtimet e rishikuara nga kolegët shkencëtar sugjerojnë se shpërthimet, pulsi elektromagnetik dhe radioaktiviteti nuk janë pjesa më e keqe: sulmet nukleare mund të shkaktojnë një dimër bërthamor si pasefekt, për shkak të tymit të zi të karbonit dhe stuhive bërthamore.
Bomba atomike e Hiroshimës shkaktoi një stuhi të tillë, por bombat e sotme me hidrogjen janë shumë më të fuqishme. Një qytet i madh si Moska, me pothuajse 50 herë më shumë njerëz se Hiroshima, mund të krijojë shumë më shumë tym dhe një stuhi zjarri që dërgon shtëllunga tymi të zi deri në stratosferë, shumë më lartë se çdo re shiu që në rastin më të mirë mund të largonte tymin.
Tym i zi do të nxehet nga rrezet e diellit, duke e mbajtur atë në ajër si një tullumbace me ajër të nxehtë deri në një dekadë. Rrymat e ajrit në lartësi të mëdha mbi Tokë janë aq të shpejta sa duhen vetëm disa ditë që tymi të përhapet në pjesën më të madhe të hemisferës veriore.
Kjo bën që Toka të mbërthehet nga një i ftohtë i acartë edhe gjatë verës, me tokën bujqësore në Kansas që ftohet me rreth 20 gradë celsius dhe rajone të tjera që ftohen pothuajse dy herë më shumë. Një punim shkencor i kohëve të fundit vlerëson se mbi 5 miliardë njerëz mund të vdesin nga uria, duke përfshirë rreth 99% të atyre në SHBA, Evropë, Rusi dhe Kinë – sepse shumica e tymit të zi të karbonit qëndron në hemisferën veriore ku dhe prodhohet. Dhe për shkak të rënies së temperaturës, më shumë kultura bujqësore në hapësira të konsiderueshme tokësore do të mbeteshin të dëmtuara.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ky eksperiment lë pas pasiguri të mëdha. Kështu që ndikimi aktual humanitar mund të jetë ose më i mirë ose më i keq – çka përbën një arsye më shumë për të treguar kujdes. Një program kërkimor prej 4 milion dollarësh i nisur së fundmi do të ndihmojë në sqarimin e mirëkuptimit publik dhe do të informojë bisedën e politikave globale, por nevojitet shumë më tepër punë, pasi shumica e kërkimit mbi këtë temë klasifikohet dhe fokusohet në ndikimet ushtarake dhe jo humanitare.
Natyrisht, ne nuk e dimë se sa njerëz do t’i mbijetojnë një lufte bërthamore. Por nëse situata degradon në atë gjendje që e parashikon studimi, nuk ka fitues, thjesht humbës. Fakti që lufta bërthamore ka të ngjarë të fillojë përmes përshkallëzimit gradual të tensioneve në Rusi, ndoshta e kombinuar nga aksidenti ose llogaritjet e gabuara, do të thotë se sa më shumë njerëzit të dinë për luftën bërthamore, aq më shumë ka gjasa që ne të shmangim të kemi një të tillë./ Burimi TIME – Përgatiti në shqip: Borisa Lala
Top Channel